Shtetet e Bashkuara kanë marrë vendim për evakuim të pjesshëm të Ambasadës amerikane në Niger, pas puçit të javës së kaluar.
– Advertisements –
Qindra shtetas të huaj tashmë janë evakuuar nga ky shtet pasi Ambasada e Francës është sulmuar të dielën nga protestuesit.
Lideri i puçit, gjenerali Abdourahamane Tchiani, ka paralajmëruar kundër “çfarëdo ndërhyrjeje në punët e brendshme” të shtetit.
Nigeri është prodhues i madh i uraniumit dhe shtrihet në një rrugë kyçe të migrimit mes Afrikës së Veriut dhe Mesdheut.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka folur të mërkurën me presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum, dhe se SHBA-ja është e përkushtuar për rikthimin e demokracisë në Niger përmes një qeverie të dalë nga zgjedhjet.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se pavarësisht evakuimit të pjesshëm, ambasada në Niger do të vazhdojë të jetë e hapur.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj njerëzve dhe lidhjeve tona me Nigerin, dhe jemi të angazhuar në nivelin më të lartë diplomatik”, ka thënë ai.
SHBA-ja është dhuruese e madhe e ndihmës humanitare dhe ndihmës në fushën e sigurisë në Niger, dhe ka paralajmëruar paraprakisht se puçi mund të rezultojë me pezullim të të gjithë ndihmës.
Franca, që dikur e ka pasur Nigerin koloni, dhe Bashkimi Evropian, tashmë e kanë pezulluar gjithë ndihmën për këtë shtet.
Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore, bllok i 15 shteteve të Afrikës Perëndimore, ka vendosur sanksione ndaj këtij shteti, që përfshin bllokimin e të gjitha transaksioneve komerciale me Nigerin, dhe ngrirjen e të gjitha aseteve shtetërore në bankën qendrore rajonale.



