(Njeriu që e spiunoi Nexhat Ibrahimin nuk mund të jetë udhëheqës i muslimanëve)
Para disa ditësh opinioni në Maqedoni u njoftua me një dokument të shërbimeve sekrete të UDB-ës së Jugosllavisë komuniste në të cilën kreu aktual I BFI-së Shaqir Fetahu i emëruar me shifrën “ORAO/Shqiponja” qartë tregohej si një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj. Ai kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret jugosllav në dëm të organizatës “Muslimanët e rrinj” në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe pastaj ishte i preferuar I tyre për të qenë bashkëpunëtor edhe pas kthimit prej studimeve në Maqedoni. Askush nga BFI, madje as edhe vetë Shaqir Fetahu, nuk dolën që të thonë asnjë fjalë të vetme në lidhje me këtë dokument, që na jep të kuptojmë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dëshirë që ta heshtin punën dhe të vazhdojnë punën e tyre me terkun “ Svaka çuda je tri dana”. Ai me terkun e shërbimeve sekrete komuniste përpiqet që ta hedh në harresë këtë çështje dhe përmes proceseve intrigante të qëndrojë në krye të BFI-së.
Çdo njeri që ka pak etikë njerëzore, e mos ta diskutojmë nëse ka pak etikë fetare, do të tërhiqej menjëherë nga posti të cilin e ushtron, pasi drejtëpërdrejtë dokumenti tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor I forcave që I kanë luftuar forcat e mirëfillta që kanë dashur ta promovojnë kulturën dhe qytetërimin e pastër të myslimanëve. Ai ka qenë drejtëpërdrejtë I kyçur në procesin e shmangies fizike dhe kulturore të njerëzve që kanë bërë revolucion në mendimin bashkëkohor të myslimanëve, jo vetëm në trojet shqiptare dhe ballkanase, por edhe shumë më gjerë. Ai ka spiunuar shokun e dhomës, intelektualin më të rëndësishëm mysliman të kohës sonë Nexhat Ibrahimi, por edhe mendjendriturit rahmeti Alija Izetbegoviq, si shokët e tjerë të organizatës “Muslimanët e rrinj”, Omer Behmenin, Ismet Kasumagiqin dhe miqtë e tyre, që sot janë figura qendrore të mendimit shoqëror të myslimanëve në botë. Dhe tash po ky person qëndron pa fare turpi në krye të BFI-së dhe përgatitet duke bërë kuloare të ndryshme që të instalohet në mandatin e kryetarit të BFI-së. Është turp për te, për familjen e tij, por edhe për të gjithë myftitë dhe hoxhallarët e Maqedonisë që ai edhe pas kësaj të qëndrojë në krye të këtij institucioni.
Shaqir Fetahu ik prej aty! Nëse nuk ndjehesh I turpëruar ti vetë dhe je duke ndjekur agjenda të huaja, së paku në këto vite të fundit para pensionimit ke pak konsideratë për ndërgjegjen e myslimanëve të Maqedonisë! Ik prej aty dhe izolohu në shtëpi, mos u tako me askënd. Mos I fut në greminën tënde njerëzit të cilët vërtetë kanë dëshirë që të rregullojnë këtë institucion që është nder dhe fytyrë e myslimanëve të këtyre trojeve.
Nëse Shaqir Fetahu nuk do ta lëshojë këtë vend edhe pas këtij skandali, atëherë myftitë dhe hoxhallarët e Maqedonisë duhet gjithsesi të largojnë atë dhe mos të lejojnë që sërish BFI të udhëhiqet nga persona që u shërbejnë agjendave të huaja. BFI ka kapacitet dhe kuadër të pastër etik dhe me përgatitje profesionale që do t’ia kthejë autoritetin në mesin e popullatës myslimane dhe do ti rahatojë zemrat e myslimanëve. Ata urgjentisht duhet ta largojnë Shaqir Fetahun dhe mos të lejojnë që një person i indoktrinuar nga agjendat e shërbimeve sekrete komuniste të qëndrojë as edhe një minutë në krye të BFI-së e mos të diskutojmë të organizojë zgjedhje ose të zgjidhet ai vetë. Nëse do të lejoni që ai të bëhet pjesë e procesit zgjedhor ta dini që me ndihmën e miqve të vet do të bëjë çmos që të instalohet në krye të BFI-së. Të kujdesshëm duhet të jenë edhe përfaqësuesit politik, që ndoshta mund të kenë afërsi farefisnore ose lokale me të dhe ta këshillojnë që sa më shpejt të tërhiqet në shtëpi dhe të mos del më jashtë.
Shaqir ik nëse të ka ngelur vetëm pak ndërgjegje dhe fytyrë…
Të revoltuar!
Një grup hoxhallarësh nga Gostivari