Në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale sot u krye pranim-dorëzimi i funksionit ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrja e re, Jagoda Shahpaska e mori funksionin nga zëvendësministri Gjonul Bajraktar, i cili e kreu këtë detyrë, për shkak të zbrazjes së vendit ministror.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informojnë se ministrja Shahpaska si anëtare e Komisionit kuvendor për punë dhe Politikë Sociale në mandatin e kaluar të deputetes dhe si ish-deputete e cila aktivisht ishte e përfshirë në reformën sociale, por edhe në shumicën e proceseve në kompetenca të këtij resori, theksoi se është e vetëdijshme për sfidat që e presin këtë Ministri.
“Më paraqet nder dhe kënaqësi, por edhe sfidë tejet të madhe ta kryesoj sektorin për të cilin luftova zëshëm dhe u angazhova edhe nga foltorja e Kuvendit, por edhe në Komisionin për punë dhe politikë sociale. Realizimi i politikave sociale të cilat janë kahëzuar drejt kujdesit të vërtetë për të gjithë qytetarët, e posaçërisht drejt kategorisë më të ndjeshme të qytetarëve, është me rëndësi të madhe shoqërore për shtetin tonë. Investimi në njerëz, në standardin më të mirë, në rroga dhe pensione më të larta, në mbrojtje sociale e cila mundëson dalje nga rrethi i varfërisë, janë prioritetet për mua dhe për Ministrinë në periudhën e ardhshme”, theksoi Shahpaska.
Paralajmëroi se do të angazhohet për realizim të politikave të bazuara në parimet e ndërtimit të një shteti të drejtë dhe social, për standard më të mirë jetësor, vlerësim të punës së punëtorit dhe mbrojtje të të drejtave të tij dhe luftë kundër varfërisë dhe papunësisë.
Menjëherë pas pranim-dorëzimit të funksionit, ministrja Shahpaska pati takim me ekipin kryesues të Ministrisë, i përbërë nga këshilltarët shtetërorë dhe udhëheqësit e sektorëve. Në takim ajo u informua për projektet rrjedhëse në të cilat punon Ministria, për dinamikën e paraparë për realizimin e tyre dhe për pengesat e mundshme me të cilat përballen.

Nga të punësuarit në Ministri pret punë ekipore dhe përkushtim të plotë në realizimin e të gjitha projekteve të parapara në Programin e Qeverisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Detyrë dhe obligim i yni është t’u shërbejmë qytetarëve dhe të punojmë për të mirën e tyre”, tha Shahpaska, duke vlerësuar se në mandatin e kaluar, Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale treguan se mund të ndryshohet mënyra në të cilën shteti kujdeset për qytetarët dhe se ai koncept do të vazhdojë me dinamikë akoma më të përforcuar.




