Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ndaj kumtesës së BDI-së lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes.
Përmes një statusi në Facebook, Shabani e akuzoi BDI-në për hipokrizi politike, duke thënë se kjo parti nuk mund ta fshehë përgjegjësinë për politikat e ndjekura gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.
“Me lot krokodili nuk bëhet politika, e as fshihet e bëma. Ditë pas dite po bien maskat dhe po del fytyra e vërtetë e më shumë se dy dekadave të qeverisjes suaj”, shkroi Shabani.
Ai e sfidoi publikisht BDI-në që të tregojë së paku një shqiptar të emëruar drejtor në këto pozita gjatë periudhës kur kjo parti ishte pjesë e pushtetit.
“Drejtoritë në Ministrinë e Mbrojtjes janë krijuar gjatë qeverisjes suaj. Na tregoni vetëm një shqiptar që e emëruat drejtor në ato pozita. Asnjë”, shkroi zëvendësministri.
Sipas Shabanit, BDI-ja sot po ankohet për pozita të cilat vetë nuk ua kishte besuar shqiptarëve gjatë viteve të saj në qeverisje.
“Sot qani për shkarkime hipotetike nga pozita që vetë nuk ua besuat kurrë shqiptarëve. Atë që nuk e bëtë ju për më shumë se 20 vjet, me ministra e ‘kryeministra’, do ta bëjmë ne si VLEN”, theksoi ai.
Në fund të reagimit, Shabani porositi se koha e akuzave dhe arsyetimeve ka përfunduar, ndërsa tani kërkohen përgjegjësi dhe rezultate konkrete.
“Mjaft me lot krokodili, koha është për përgjegjësi dhe rezultate”, përfundoi Shabani.



