20 November
Maqedonia do ta luftojë problemin e ndotjes së ajrit përmes selektimit të mbeturinave. Zv / ministri i Ambientit Jetësor Jani Makraduli deklaroi se Qeveria është e gatshme që të fillojë këtë iniciativë pasi e njëjta pos reduktimit të nivelit të lartë të ndotjes do t’u sjell përfitime edhe kompanive që merren me riciklimin e mbeturinave. Këtë zv/ministri Makraduli e tha në shënimin e javës Evropiane të trajtimit të mbeturinave.
Po bëjmë një kthesë të re në Republikën e Maqedonisë ku selektimi i mbeturinave do të jetë ajo e cila është me rregull dhe e shkruar në standardet evropiane. Qeveria është e gatshme ta demonstrojë përmes shembull të saj dhe Qeveria do të fillojë në mënyrë masive aplikimin e selektimit të mbeturinave me qëllim që ta reduktojë nivelin e mbeturinave dhe t’i shfrytëzojë dhe gjithë kjo do të ndikojë në problemin kyc që e ka Maqedonia, ndotjen – deklaroi Jani Makraduli, zv ministër i Ambientit Jetësor.
Ambasadori frances në Maqedoni i cili përkrah këtë iniciativë tha se ambasada që ai drejton po angazhohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e problemit me ndotjen.
Punojmë në atë drejtim ku përsëri të mund të shfrytëzohen mbeturinat me qëllim që të mund që edhe Qyteti i Shkupit të ngrihet në nivelin e qyteteve evropiane. Ne me kolegët e Ambasadës fraceze kyçemi në projekt konkretisht, kemi një hapësirë ku secili prej nesh të kontribuojë në mënyrë individuale për këtë projekt sepse ky problem na tangon të gjithë neve dhe zgjidhja vjen nga çdonjëri prej nesh – tha Kristian Timonie, Ambasador i Francës në Maqedoni.
Maqedonia viteve të fundit po përballet me nivel alarmant të ndotjes së ajrit. Deri më tani autoritetet kompetente të vendit nuk kanë marrë ndonjë masë konkrete për zgjidhjen afatgjate të këtij problemi. Së fundmi ministria e Ambientit Jetësor dhe Qyteti i Shkupit paralajmëruan një sërë masash për reduktimin e ndotjes, por pavarësisht se ajri vazhdon të jetë i ndotur, zbatimi i këtyre masave ende nuk ka filluar.
Vjollca Aliti

