Lideri i ASh-së – Fronti Europian, Ziadin Sela nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka uruar Shqipërinë për çeljen e kapitullit me Bashkimin Europian, transmeton TV21.
Megjithatë, Rama ka ndaluar të përmend edhe solidarizimin e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, pasi kjo e fundit nuk hapi kapitull dhe është ndarë nga pakoja e përbashkët me Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ziadin Sela tha se qasja e Edi Ramës, duhet të jetë shembull për politikanët në vend se, ku siç thotë, “të cilët fatkeqësisht duket që kanë ngelur peng të së kaluarës dhe konflikteve me fqinjët”.
Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Ziadin Selës:
Urime Shqipëri
Sot është ditë e madhe për Shqipërinë, qytetarët e Shqipërisë, e që i gëzohen edhe gjithë shqiptarët kudo jetojnë. Urime të përzemërta për qytetarët, elitën politike, kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë ata që kontribuan për të arritur në këtë ditë, hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Kjo ditë është e rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe Ballkanit në përgjithësi. Perspektiva europiane është rruga e vetme prej të cilës nuk guxojmë të zhvendosemi edhe përkundër aventurave të disa politikanëve dhe nacionalizmave që vazhdojnë të mbajnë peng ëndërrën e qytetarëve për të ardhmen europiane.
Mirënjohës pa fund për solidarizimin e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut që për vite me radhë qëndroi bashkë me ne duke sakrifikuar dhe humbur vite në pritje për të bërë bashkë këtën rrugëtim. Falenderime për kryeministrin Edi Rama që edhe sot konfirmoi këtë solidarizim duke kthyer edhe festën e tyre në një fushatë senzibilizimi për Maqedoninë e Veriut.
Vizioni i tij duhet të shërbejë si shembull që duhet ndjekur edhe nga politikanët e vendit tonë, të cilët fatkeqësisht duket që kanë ngelur peng të së kaluarës dhe konflikteve me fqinjët.