Në tubimin që Aleanca për Shqiptarët e mbajti sonte në Strugë, kryetari i kësaj partie dhe njëherësh kandidat për mandatin e dytë për këtë komunë, Ziadin Sela, u shpreh i bindur se edhe për katër vitet e ardhshme do të jetë në krye të Strugës. Ai me këtë tubim i përcolli mesazhin Ali Ahmetit se mejdanin në Strugë e ka fituar Sela e jo Merko. Ai akuzoi ish-kryetarin nga radhët e BDI-së se e ka vjedhur madje edhe nxemjen nëpër shkollat e Strugës. Sela tha se shpreson që në katër vitet e ardhshme komuna të mos ballafaqohet me, siç tha ai, bllokadën nga pushteti qendror.
“Ali Ahmeti kërkoi mejdan në Strugë, unë iu përgjigja: në Strugë me mua s’mund të bësh mejdan, sepse mejdan atje u ke shpall shqiptarëve dhe shqiptarët sonte ja ku po ta japin përgjigjen, ja mejdani i Strugës. Natyrisht që ne do të vazhdojmë edhe këto katër vite të japim shembullin e mirmenaxhimit me një komunë”, deklaroi Sela.

