Sead Koçan sot doli para gjykatës dhe prokurorisë Speciale pas disa muajsh arrati dhe pastaj kthim në Maqedoni. I akuzuari kryesor për krim financiar të rëndë 17 milion euro, ishte në prani të avokatëve të tij dhe të përfaqësuesve të firmave që ishin pjesë e konzorciumit i cili kishte fituar tenderin për gërmim të ELEM-it. Nuk kishte hapësirë për diskutim thelbësor pasi mbrojtja e Sead Koçanit dhe firmave “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” nga Studeniçani, kërkuan anulim të seancës shkaku se nuk e kishin parë listën e provave. Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Artan Ajro dhe Gavrill Bubevski, insistonin se provat janë dorëzuar me kohë, por si duket Këshilli për Vlerësimin e Aktakuzës nuk i ka dorëzuar 13 kopjet deri tek gjykatësja e lëndës.
GAVRILL BUBEVSKI, PROKUROR
”Vepra penale është bërë për ta dëmtuar konkurencën. Në këtë rast, ata me dokumente të falsifikuara e kanë penguar konkurrencën. Kështu çmimi i tyre ka dalë si më ulëti. Vlera e marrëveshjes dhe gjithçka që kanë përfituar në bazë të këtyre dokumenteve të falsifikuara është e paligjshme…”
Lënda “Trust” bazohet në prova të shumta materiale dhe në tre biseda të përgjuara telefonike prej të cilave, dy publiku nuk i ka dëgjuar asnjëherë. Meqë “bombat” nuk ishin kontestuar nga trupi për vlerësimin e aktakuzës e as nga avokatët, ato do të përdoren gjatë procesit gjyqësor.
JOVAN JOANIDIS, AVOKAT
“Unë kam thënë se ato janë prova. Si mund të kërkoj të anashkalohet diçka për të cilën mendoj se vlen si provë. Vetëm bombat të vetme nuk mund të jenë prova, por si tërësi e të gjithë materialeve të grumbulluara paraqesin prova. Këto janë njohuri prej të cilave mund të gjenden prova materiale”
Si provë kundër Sead Koçanit do përdoret edhe biseda e publikuar mes ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish drejtorit të SHA “ELEM” Vllatko Çingovski i cili ka qenë në krye të kompanisë kur është lidhur kontrata e paligjshme 17-milionëshe.
Sipas akuzës së Prokurorisë Speciale, Sead Koçan me firmat “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” kanë formuar konsorcium i cili me dokumente të falsifikuara për kuadrin dhe specifikat e punës, ka fituar tender prej 17 milionë eurosh nga Elektranat e Maqedonisë.
Sead Koçanit iu shqiptua masa e paraburgimit kohë më parë për këtë rast, por ai ishte në arrati kur u lëshua fletëarresti. U kthye pas afro dy muajsh ikje, atëherë kur mori garancat nga gjykata se nuk do të shkojë në burg. Por për ta siguruar gjykatën se nuk do të ikë më nga shteti, iu desh të lejë garanci prej 1 milion eurosh dhe patundshmërish të shumta. Seanca e ardhshme është caktuar pas shtatë ditësh. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

