Alsat-M 2019-07-05T15:39:34+02:00
Ngecja e integrimeve evropiane me siguri do ta ngadalësojë zhvillimin dhe do të nxisë destabilizim të ri në Ballkan, ka deklaruar presidenti polak Andzhej Duda në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Poznan të Polonisë, duke theksuar se Varshava e mbështet politikën e zgjerimit. Në këtë Samit janë mbledhur krerët e disa shteve dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Delegacioni i Maqedonisë së Veriut drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij. Zaev në mëngjesin e punës me krerët e shteteve tjera ka deklaruar se në tetor të këtij viti pret të përmbushet premtimi për mbështetjen e qartë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
Vendimi i tillë do ta konfirmojë besueshmërinë e BE-së në rajon dhe do të jetë rekomandim për vendet me status kandidat t’i vazhdojnë reformat për realizimin e standardeve Evropiane dhe inkurajimin e politikave të cilat do të sjellin prosperitet, demokraci dhe stabilitet në rajon. E kuptojmë dhe e mbështesim diskutimin për reformat në BE, por, jemi të bindur se ky proces mund të shkojë paralelisht me procesin e negociatave dhe për zgjerimin e vendeve nga rajoni.”- theksoi Zoran Zaev, kryeministër
Me rastin e hapjes konferencës për Ballkanin Perëndimor në Poznan të Polonisë bashkëdrejtuesit e Partisë së Gjelbër Evropiane Rejnhard Butikofer dhe Monika Fransoa kanë porositur që “BE-ja t’i fillojë negociatat për integrimin me Maqedoninë e Veriut”.
Nuk ekziston arsye që reformat e brendshme në BE dhe bisedimet për integrim të mos zbatohen njëkohësisht. Edhe një shtyrje në tetor këtë vit do të mund ta rrezikojë të gjithë procesin dhe të rikthejë tensionet të cilat do të ishin katastrofike për BE-në në përgjithësi. Me rëndësi të madhe është që ministrat evropian në takimin në Poznanj të marrin parasysh përpjakjet heroike të Maqedonisë së Veriut për t’i dhënë fund konfliktit me Greqinë dhe të hapë rrugën për proces të drejtë dhe objektiv.” – u shprehën nga Partia e Gjelbër Evropiane
Por nga ana tjetër, ministri gjerman për Ekonomi dhe Energjetikë Peter Altmajer në një prononcim për mediat e huaja ka thënë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për momentin nuk janë të përgatitura ekonomikisht për t’ju bashkuar BE-së.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të dërgojnë ekipe të përbashkëta në Poloni dhe në Britaninë e Madhe për të shkëmbyer përvoja për organizimin e presidencës së përbashkët të procesit të Berlinit të cilën gjë Shkupi dhe Sofja do ta bëëjnë në vitin 2020. Kjo u vendos në takimin e ministrave të Jashtëm pjesëmarrës në Poznan të Polonisë.
Fatlume Dervishi
Loading…



