Nëse Bashkimi Demokratik për Integrim e ka lexuar drejtë kalendarin e zhvillimeve politike në Maqedoni, atëherë përgjysmimi i votës për këtë subjekt politik do të ishte indikator dhe sinjal alarmues se çfarë do të ndodh me të ardhmen e kësaj partie nëse vendos që deputetët e vet t’i vë edhe kësaj radhe në shërbim të Nikolla Gruevskit. Mirëpo, nëse BDI nuk hyn në koalicion me VMRO DPMNE, e drejta për formimin e qeverisë në Maqedoni i kalon LSDM’së. Kuptohet, në këto rrethana iu duhen edhe votat e partive të reja shqiptare, ose së paku njërës prej tyre (49+10+?) për të formuar qeverinë. Shqiptarët e Maqedonisë kurrë më parë nuk kanë pasur mundësinë që ta artikulojnë vullnetin e tyre politik. Ata që deshtën vetëm ndëshkimin e Nikolla Gruevskit, votuan LSDM’në. Ata shqiptarë që deshten edhe ndëshkimin e Ali Ahmetit, e të cilët ishin shumë më të tepërt në numër, votuan partitë e reja shqiptare. Sepse në fakt ishte Ali Ahmeti ai që tradhtoi interesat kombëtare të shqiptarëve përgjatë 14 viteve të qeverisjes në periudhën e paskonfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.
Për LSDM e Zoran Zaev koalicionimi me Ali Ahmetin nuk paraqet problem, kundërshtari i saj kryesor është VMRO DPMNE. Por, e njëjta njëjta gjë nuk mund të thuhet për partitë e reja shqiptare në Maqedoni. Bashkëqeverisja me BDI –në e Ali Ahmetit do t’iu sillte dëme të pariparueshme në elektorat. Andaj, jo rastësisht kohëve të fundit përpiqet të ndërtohet gjoja një “strategji kombëtare” me qëllim që cilado parti e re shqiptare ta përdorë si mbulesë, se gjoja në interes të shqiptarëve, e jo për interesa të tyre, kanë pranuar hyrjen në një Qeveri me BDI’ne. Arsyetim dhe alibi klishe e stërdëgjuar nga të gjithë ata politikanë që dëshirën për pushtet përpiqen ta paraqesin si kontribut patriotik, kombëtar… etj, etj.
Por, faktet janë këto. Numrat tregojnë se dikush duhet të lëvizë nga parimet. E, mbase jo rastësisht kohëve të fundit janë egërsuar dhe nuk lejojnë tu kërkohet asnjë përgjegjësi politike ata që deri dje qeverisen në nivel komunal, ndërsa rezultati që treguan ishte larg të qenurit i suksesshëm. Në këto rrethana iu duhet një mbulesë e re, një kauzë e re, një rast i ri që ta vazhdojnë agoninë e popullit. Por, ndër të tjera, kjo është politika – përpjekje e politikanëve që ta bindin popullin se kurrë s’do ta kenë më mirë sesa me ata që do duhej të qeverisnin.
Kjo për faktin se ata që punojnë në të mirën e popullit nuk bëjnë zhurmë shurdhuese që t’i dëgjojë e gjithë bota, por i lënë që gjërat t’i vlerësojnë të tjerët.