29 August
Projekti që parashihte riparimin e rrugëve të fshatrave Opajë, Sllupçan, Allashec, Bellanoc dhe Stanqiq ka ngecur i realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk dihet me siguri nëse do të përfundojë ndonjëherë. Asfaltimi I këtyre rrugëve është njoftuar që në vitin 2013 me fonde IPA dhe ishte parashikuar të përfundojë brenda 2 viteve. Megjithatë rruga në fshatin Sllupçan tashmë disa dekada me radhë është në gjendje të mjerueshme. Banorët ankohen për gjendjen e keqe të rrugëve të fshatit dhe për këtë fajësojnë funksionarët që nuk kanë marrë asnjë masë për rregullimin dhe përmisimin e tyre. Ata thonë se vetëm kur afrohet koha e zgjedhjeve vizitohen nga partitë politike për interesat e tyre.
“Nuk bëhet llogari, na pengon shumë, po ne jemi fshatarë të thjeshtë, askush nuk na jep informata se çfarë do të bëhet, ja shihni edhe vet. Po të bjere shi, këtu shkon uji si nëpër lum deri në fund të fshatit. Ne nuk mund të bëjmë asgjë,duhet ato të cilët ua kemi dhënë votat,ato të na ndihmojnë”.
“Rruga nuk është ndërtuar dhe as që mendohet. Partia e Ali Ahmetit, nuk ka qenë asnjëherë ta vizitojë fshatin Sllupçan prej vitit 2001. A nuk është turp? Vetëm gjatë kohës se votimeve, tash në kohën e zgjedhjeve lokale të gjitha partitë i ke këtu për interes”.
“Rruga brenda fshatit edhe vet e keni parë, le ta tregojë syri kamerës, është mjaftë e keqe edhe mbetëm pa vetura. Edhe për ndonjë të sëmurë është rrezik, nuk mund të ngutesh se krejt gropa është, katastrofë”.
Ushtruesi i detyrës kryetar komune të Likovës, Bashkim Amidi, thotë se ndërtimi irugës pritet që të fillojë në datën 6 Shtator, por është skeptik nëse i njëjti do të fillojë në kohën e caktuar. Sipas tij, kjo varet nga deputetët dhe investitorët.
Në projekt ka qenë e paraparë diku 6 metra gjerësia e rrugës që do të fillojë te vendi i quajtur te Bunari dhe deri mbi fshatin Sllupçan ku ngjitet me pjesën tjetër dhe mendojmë siç na kanë premtuar në takimin që patëm para disa ditëve apo një jave, që rruga do të filloje. Ne kemi shpresa nëqoftëse ato e mbajnë fjalën, nuk mund të themi me sigurt që mund të fillojë, por na është premtuar – u shpreh Bashkim Amidi, Ushtrues detyre i Komunës së Likovës.
Rruga që lidh këto fshatra të dërgon në pikën kufitare Bellanoc Stançiç. Hapja e kufirit nga ana tjetër, edhe përkundër asfaltimit të rrugës, po ashtu mbeti premtim i parealizuar. Së fundmi në ditën kur skadonte afati për shfrytëzimin e IPA fondeve për pikë kalimin kufitar të përbashkët “Bellanoc-Stançiq” mes Maqedonisë dhe Kosovës, Qeveria aprovoi debllokimin e realizimit të këtij projekti pas çka firmosi revidimin e marrëveshjes me BE-në.
Valmira Zendeli

