46 vjeçari me origjinë shqiptare, i cili dhunoi partneren e tij 25 vjeç me levë, ka pranuar krimin përballë trupit gjykues dhe është dënuar nga drejtësia helene me 4 vite heqje lirie, pa të drejtë lirimi me kusht.
Sipas mediave greke, burri u shpreh përballë togave të zeza se ishte hera e parë që ai ishte sjellë i dhunshëm, për shkak se ishte në gjendje të dehur.
Por në krahasim me gruan e tij, 25 vjeçarja ka deklaruar të kundërtën, duke u shprehur për autoritetet se në dy vite që ata jetonin bashkë, kjo ishte të paktën hera e katërt që ka përjetuar dhunë prej partnerit të saj.
Më herët e reja është shprehur se nuk i ka denoncuar rastet e dhunës për shkak se i shoqi e ka bindur duke i kërkuar falje, e me kërcënime të tipit se nëse ajo do zbulonte të vërtetën do ta godiste sërish.
Përsa i përket ngjarjes së fundit, kanë qenë fqinjët ata që raportuan dhunën e ushtruar.
Vetë 25 vjeçarja u shpreh përballë uniformave blu se do të denonconte këtë rast të dhunës pasi 46 vjeçari i kishte tejkaluar kufijtë.
Kujtojmë se ky i fundit goditi gruan e tij me grusht në fytyrë dhe shufër hekuri.
Bashkëshorti u arrestua të shtunën për veprat penale dhunë në familje, kanosje, lëndim të rëndë trupor dhe shkelje të ligjit për armët, ndaj partneres së tij 25 vjeçare.