MPB ka njoftuar se për rastin e përdorimit të tepruar të forcës nga ana ë zyrtarëve policor, ndaj dy të rinjve nga Shkupit, ka iniciuar procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës dhe do të shqiptohet masa e largimit nga vendi i punës, gjegjësisht suspendimi.
“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së po ndërmerr masa dhe veprime lidhur me ngjarjen e ndodhur më 7 tetor 2026, për përdorimin e tepruar të forcës fizike dhe shkaktimin e lëndimeve trupore ndaj personave nga ana e zyrtarëve policorë gjatë ushtrimit të autorizimeve policore.
Nga kontrollet e kryera, incizimet e siguruara nga ngjarja dhe deklaratat e personave që kanë qenë dëshmitarë të saj, janë konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e zyrtarëve policorë. Për këtë arsye, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së do të iniciojë procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës ndaj gjashtë zyrtarëve policorë, si dhe do t’u shqiptojë masën e largimit nga vendi i punës – suspendim”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Ata shtojnë se lidhur me kallëzimet për ngjarjet me elemente të veprave penale, të paraqitura pranë Departamentit për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale dhe Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, prokuroritë kompetente kanë lëshuar urdhra për ekspertiza, të cilat janë në proces të realizimit.
“Pas dokumentimit të të gjitha provave, do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në komunikatën e MPB-së.



