Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i plotësuan kushtet e konfirmuara nga Brukseli. Ato i takojnë Evropës. Do të ishte fatale t’u lihet terreni aktorëve të tjerë si Rusia, Kina ose Turqia, thekson ministri shtetëror gjerman për Evropë dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Mihael Ror, në kolumnën për “Velt”.
“Po, ju duhet ta riafirmoni Bashkimin Evropian! Por, kjo nuk është në kundërshtim me zgjerimin e tij. BE më e madhe, e cila në të njëjtën kohë është më e aftë, më sovrane dhe më demokratike, mund të krijojë më shumë siguri për qytetarët e vet. Prandaj, kryetari i KE-së në largim Zhan-Klod Junker ka të drejtë: ‘gabim historik’ është që liderët e BE-së më 18 tetor nuk dhanë dritë jeshile për fillimin e planifikuar të negociatave aderuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk arritën të sjellin vendim për shkak të konsensusit të nevojshëm”, thekson Rot.
Shtyrja e sërishme e votimit pozitiv shkaktoi shqetësim – si në Ballkan, ashtu edhe në BE, sepse që të dy vendet i realizuan kushtet e vendosura nga BE-ja, thotë Rot, duke theksuar se edhe Komisioni Evropian kohë më parë e konfirmoi këtë në raportet e veta.
“Qëllimi ynë parimor duhet të jetë që të bëhet gjithçka për paqe, pajtim dhe demokraci të Ballkanit Perëndimor. Pasi rajoni nuk është ‘oborri mbrapa’ i shtëpisë evropiane. Ai është oborri! Stabilizimi dhe lidhja e rajonit është në interes të drejtpërdrejtë evropian dhe gjerman. Nëse BE-ja ia kthen shpinën Ballkanit Perëndimor, ai ua lëshon terrenin aktorëve të tjerë si Rusia, Kina dhe Turqia. Ndërsa interesi i tyre parimor natyrisht nuk është përforcimi i demokracisë dhe qeverisjes së të drejtës”, shkruan Mihael Rot.
Vendimin pozitiv, sipas tij, do ta jepte sinjalin e nevojshëm: BE-ja është serioze lidhur me përgjegjësinë e saj për tërë Evropën dhe perspektivën për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor. Edhe, ajo do ta pranonte dhe konfirmonet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë punë të shkëlqyer dhe vazhdimisht i kanë zbatuar reformat. Edhe në të dyja shtetet, qytetarët dhe qeveritë dëshmuan edhe njëherë se janë të gatshëm të bëjnë kompromise të dhembshme për përafrim drejt BE-së.
“Shtyrja e vendimit për negociata e dëmton kredibilitetin e BE-së. Në rajon, kjo i përforcon ato forca të cilat nuk kanë interes për reforma dhe avancim. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tani më paralajmëroi dorëheqje dhe zgjedhje të reja për në muajin prill. Ekziston rrezik nga kthimi i dytë në nacionalizmin dhe hapjen e plagëve të vjetra dhe konflikteve etnike”, thekson ministri gjerman për Evropës dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Ai thekson se BE-ja duhet t’i përfundojë detyrat e shtëpisë dhe qartë të tregojë se qëndron pas europerspektivës së vendeve kandidate.
“Fakti se fillimi i negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kohë më parë dështoi për shkak të rezistencës së individëve është një mossukses i hidhur. Por, do të ishte gabim tani ta fusni kokën në rërë. Në pranverën e vitit 2020, tema sërish duhet të jetë në agjendën e shefave të shteteve ose qeverive të BE-së. Atëherë ne definitivisht duhet qartë të themi se po afrohemi drejt perspektivës për inkuadrimin e vendeve kandidate. Shtyrjet e mëtutjeshme do të ishin të papërgjegjshme. Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre reformuese. Ky është sinjali më i mirë për të gjithë skeptikët. Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i përfundojmë detyrat e shtëpisë në BE dhe të qartësojmë si t’i tejkalojmë rezervat që i kanë disa vende anëtare”, shkruan Rot.
“BE-ja kohë më parë e mësoi leksionin e saj, se në ish-raundet e zgjerimit të vendeve shumë herët ka dhënë dritë jeshile. Metodologjinë e proceseve inkuadruese e përpunuam dhe në ndërkohë vendosim fokus të fuqishëm të demokracisë dhe shtetit juridik. Mendoj se BE-ja në muajt e ardhshëm duhet edhe më tej ta intensifikojë bashkëpunimin me dy shtetet. BE-ja nuk është mjaftueshëm e dukshme e Ballkanit Perëndimor. Komisioni i ri Evropian duhet përfundimisht t’i japë prioritet rajonit! Me këtë rast, mund t’i mbështesim me ekspertë si rrjedhojë për t’i lëvizur reformat. Edhe në kuadër të procesit të Berlinit duhet edhe më fuqishëm të angazhohemi dhe të investojmë më shumë në bashkëpunimin rajonal. Gjithashtu, duhet ta përforcojmë organizatën rinore të Ballkanit Perëndimor, që gjeneratën e re ta marrim si ambasador të paqes dhe pajtimit. Ballkani Perëndimor mbetet provë e qëndrueshmërisë për suksesin e përhershëm të paqes së modelit evropian. Nuk do ta përmirësojmë Evropën me shkeljen e premtimeve tona”, konkludon Mihael Rotz në kolumnën për “Velt”. .



