10 May 2018 / 14:51
Berlini me porosi konkrete. Ministri gjerman për Evropë, Mihael Rot theksoi se vendi ka rrugë të gjatë deri në anëtarësimin në BE dhe NATO, por se e rëndësishme është që të gjitha palët me vendosmëri të vazhdojnë të jenë të përfshira në reformimin e vendit, me theks të veçantë në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Rot inkurajoi zbardhjen e tërësishme të skandalit me përgjimet e paligjshme dhe rekomandoi që Prokuroria Speciale Publike të vazhdojë punën e saj në kuadër të Prokurorisë së rregullt Publike. Duke ofruar mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Rot ishte decid se çështja e emrit duhet të merr fund këtë vit.
Është bërë shumë, por dritarja e mundësisë është e vogël. Çështja e emrit duhet të zgjidhet këtë vit, në të kundërt status-quo-ja do të vazhdojë gjatë viteve që do të vijnë. Dy palët kanë vullnet të pajtohen për një kompromis të qëndrueshëm dhe të pranueshëm nga dy palët. E di se Nimici ka rol shumë krucial por në fund të fundit dy Qeveritë janë ulur në ulësen e shoferit. Dhe gjithçka që ju duhet është kreativitet, fleksibilitet dhe një mendje e hapur – deklaroi Mihael Rot, Ministër i Gjermanisë për Evropë.
Rot pranoi se disa prej vendeve anëtare të BE-së akoma janë skeptike nëse duhet ose jo ta pranojnë Maqedoninë në BE, por siguroi se politikanët si ai po punojnë për t’i bindur se nga kjo gjë nuk do të përfitojë vetëm Maqedonia por edhe vetë BE-ja. Kryeministri, Zoran Zaev nga ana tjetër tha se me integrimin e Maqedonisë, BE-ja do të sigurojë stabilitetin e gjithë rajonit.
Maqedonia është vend i vogël, por është shpresë e madhe për Ballkanin. Vendi ynë mund të jetë shembull pozitiv dhe t’i inkurajojë edhe të tjerët t’i dyfishojnë përpjekjet për reformat dhe tejkalimin e kontesteve. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme njohja në të cilën arritën liderët e lartë të BE-së se nëse vihet në pyetje e ardhmja e anëtarësimit në BE dhe NATO, ajo do ta vë në pyetje edhe sigurinë e rajonit dhe BE-së – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.
Pritet që në Samitin e Sofjes më 17 maj, Këshilli Evropian të konfirmojë perspektivën e qartë për rajonin. Ndërsa vendi synon që në qershor të merr datë për fillim të negociatave me BE-në.
Anesa Aliti


