Pas përfundimit të rivotimit në Komunën e Tearcës në vendvotimin 2011, përsëri nuk ka ndryshuar rrezultati i mandateve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. KSHZ mbrëmë në mesnatë publikoi rezultatet përfundimtare të vendvotimit 2011, ku LSDM ka marrë 245 vota, VMRO-DPMNE 149. Megjithatë kjo nuk i mjafton LSDM-së që të tejkalojë VMRO-DPMNE-në në nivel të njësisë së gjashtë, prandaj edhe ndarja e mandateve mbetet e njejtë me atë të 11 dhjetorit. Kështu që VMRO-DPMNE vazhdon të ketë 51 mandate, ndërkaq LSDM mbetet me 49. Të dielën në Tearcë votuan 402 persona nga gjithsej 714 votues të regjistruar. 2 vota ka marrë VMRO për Maqedoninë, ndërkaq BDI, Aleanca për shqiptarët dhe PDSH kanë marrë nga një votë, ndërsa tre vota ishin të pavlefshme.
Vendimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor që të përsëritet votimi në këtë vendvotim erdhi në bazë të simulimit me të cilën u tregua se numri i votuesve të regjistruar në këtë vendvotim mund të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative. KSHZ e pranoi ankesën e LSDM-së, duke vendosur kështu që të anulohen votimet e 11 dhjetorit dhe të shkohet në rivotim.
Nga LSDM u shprehën se nuk do të dorëzojnë sërish ankesa në Komisionin shtetërore të zgjedhjeve për vërejtjet që u bënë për ditën e djeshme nga OJQ-të.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Aleksandar Çiçakovski tha se të mërkurën deri te Kuvendi do të dorëzojë certifikatat për deputetët e zgjedhur, së bashku me raportin për zgjedhjet. Nëse në të njëjtin afat kompletohen edhe rezultatet përfundimtare të NJZ 6, do t’i dorëzojnë edhe certifikatat e deputetëve të zgjedhur në këtë zonë zgjedhore.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, atëherë pritet që deri më 31 dhjetor Kuvendi të mbajë mbledhje Konstituive, e cila do të udhëhiqet nga deputeti më i moshuar.
Mefail Ismaili /SHENJA/

