Alsat 2019-08-22T14:53:15+02:00
Pas momentit te ri të krijuar me përfshirjen e kryeprokurores speciale Katica Janeva në hetimet për rastin “Reket”, pritet të rikthehen nesër grupet e punës të partive politike për ligjin për prokurorinë publike. Këtë për Alsat e konfirmuan nga Qeveria, të cilët nuk precizuan se cilat pika të propozim/ligjit eventualisht do të rishikohen. Nga VMRO DPMNE-ja si parti që ka kërkuar takimin e radhës presin që tashmë pushteti të mos këmbëngulë në dispozita të caktuara si më herët, ku parashihet që ekipi i njëjtë i speciales të bartej në departamentin e ri, prokurorinë për krim dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Nuk mundet që me automatizëm secilit prokurori të PSP-së t’i garantohet që do të jetë pjesë e departamentit të ri për korrupsion të nivelit të lartë dhe krim sepse në këtë mënyrë, shumë prokuror të tjerë në shtet do të jenë të diskriminuar kurse disa prokurorë të PSP-së të kenë autorizime më larta – tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Pushteti deri tani, sipas Milloshovskit ka këmbëngulur që Janeva të jetë në krye të Prokurorisë për krim dhe korrupsion të lartë kurse zhvillimet e fundit vërtetojnë se ajo nuk ka kapacitet personal dhe integritet për një detyrë të tillë. Opozita nuk pajtohet edhe me dispozitat për zgjedhjen e prokurores së re pas skadimit të mandatit të Janevës më 15 shtator.
Ne si opozitë nuk mundemi ta mbivotojmë makinerinë e pushtetit, por edhe pushteti duhet të jetë I vetëdijshëm se ky ligj nuk miratohet më 61 vota por sillet me 80 vota. Vetë Kushtetuta e ka parashikuar këtë sepse bëhet fjalë për ligj sistemor dhe të rëndësishëm cili duhet të zgjasë më shumë se mandate i një, dy apo tre qeverive – u shpreh Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Zv.kryeministri Bujar Osmani në konferencën për media kushtuar rastit “Reket”, deklaroi se gjendja duhet të shërbejë si shtytje për gjetjen e një zgjidhje mes grupeve të punës për ligjin për prokurorinë publike. Ai kërkoi pjekuri dhe përgatitje për kompromis nga të gjitha anët.
Detyrimi jonë është që të krijojmë institucion efikas, profesional dhe të paanshëm i cili do të jetë përgjegjës për luftën kundër krimit të organizuar në nivel të lartë por njëkohësisht do të sigurojë edhe vazhdimësi për të gjitha rastet e hapura të Prokurorisë Speciale pavarësisht kur dhe si janë nisur deri në pastrimin e tyre në tërësi. Edhe pse për momentin ekzistojnë dallime të rëndësishme mes përfaqësuesve politik, unë mendoj se ato dallime nuk janë të patejkalueshme -deklaroi Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Pas takimeve të gjatë dhe bisedimeve pa rezultat mes grupeve të punës për të ardhmen e PSP-së, Qeveria prezantoi versionin e saj të propozim ligjit për Prokurorinë Publike i cili tashmë është në procedurë parlamentare dhe është vendosur në seancë për ditën e martë.
Fatlume Dervishi
Loading…



