Alsat 2019-08-22T16:15:04+02:00
Të gjitha partitë politike në vend me qëndrime të ndryshme për rastin “Reket”. Për njërën palë, funksion shteti juridik ndërsa për palën tjetër, e tërë kjo është vetëm teatër i kulluar. Edhe sot kanë vazhduar përplasjet partiake mes pushtetit dhe opozitës. Në njoftimin partiak të LSDM-së thuhet se shteti juridik funksionon dhe se askush s’është mbi ligjin.
Ngjarjet e fundit tregojnë se askush nuk është mbi drejtësinë dhe se secili do të japë përgjegjësi për veprimet e bëra. Si edhe deri më tani, LSDM inkurajon dhe fton të gjitha institucionet kompetente të vazhdojnë me hetim të thellë dhe të pavarur për rastin “Reket”, dhe të veprojnë sipas ligjeve”-thonë nga LSDM.
VMRO-DPMNE opozitare akuzon se ndalimi i Janevës është thjesht një teatër, që të mund të fshihet, sipas tyre, krimi i Zoran Zaevit.
Kjo Qeveri e LSDM-së dhe Zoran Zaevit nuk kanë më besueshmëri për të udhëhequr Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe të përgjigjen për të ardhmen e qytetarëve dhe shtetit. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të nevojshme dhe nevojitet rindërtimi i Maqedonisë, i cili do të ndodhë së shpejti pas rënies së LSDM-së ”-tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Aleanca për Shqiptarët doli me reagim – Rastet tashmë të hapura të PSP-së, të mos harrohen, shkaku i rastit Reket.
Ju bëjmë thirrje organeve të drejtësisë se ky rast nuk guxon t`ju bëjë hije lëndëve të hapura ku janë të përfshire dhe te dyshuar ish zyrtar te VMRO por edhe te BDI-së”-thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Besa bënë apel deri tek prokurorët e tjerë special, se, arrestimi i Janevës duhet të jetë mësim për ta.
Edhe njëherë rikujtojmë qëndrimin tonë se është më se e nevojshme që sistemit juridik të shtetit ti jepet një impuls shtesë dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes një Komisioni shtetëror i udhëhequr nga SHBA dhe BE që jo vetëm do ndihmojë drejtësinë në Maqedoninë e Veriut por do vendosë edhe themelet e një gjyqësori dhe prokurori profesionale”-thonë nga Lëvizja Besa.
Megjithatë të gjitha partitë politike në shtet theksojnë se duhet të ketë zbardhje të plotë të rastit Reket.
Andrea Çobanova
Loading…



