Alsat-M 2019-09-03T15:19:56+02:00
Derisa Resul Lloga dhe Ardian Amzoski nga Drim Bilding, në Shkup sot paradite dëshmuan për rastin Reket, Drejtoria e të Ardhurave Publike hyri në kompaninë e tyre në Strugë. Është kontrolluar dokumentacioni dhe marrëveshja që kompania nënshkroi me “Lidhjen Ndërkombëtare” të Boki 13. Nga Drim Billding, kohët e fundit njoftuan se ata i kishin paguar rreth 260.000 euro, Lidhjes Ndërkombëtare për Partneritete Strategjike dhe Bashkëpunim Biznesi. Por, pasi shoqata e Boki 13, dhe koordinatorja e projektit Jasna Mandiq nuk i kanë realizuar detyrimet e kontratës, “Drim Bilding” ngriti padi në Gjykatën Themelore Shkupi 2.
Siç e dimë, Drejtoria e të Ardhurave Publike kontrollon edhe kompaninë “Pelister” të biznesmenit Siljan Micevski, i cili dje dha deklaratë në Prokurori. Kontrollet e shtuara mbi kompanitë e biznesmenëve që kanë lidhur kontrata me Lidhjen Ndërkombëtare për Ndërtimin e Shtëpive të pleqve, vijnë pasi DAP-i më parë kontrolloi Organizatën Joqeveritare të Boki 13.
Nga Prokuroria e Krimit të Organizuar përsëri thonë se biznesmenët merren në pyetje si persona, që mund të japin informacione të dobishme për hetimin “Reket”. Nesër në Prokurori do të japë deklaratë, Frosina Remenski, e cila është kryetare nderi e Lidhjes Ndërkombëtare. Së fundi ajo u shkarkua nga posti i nënkryetares së LSDM-së. Të vetmit të dyshuar dhe të arrestuar në rastin “Reket” deri më tani janë Bojan Jovanovski, Zoran Milevski-Kiçeec dhe prokurorja speciale Katica Janeva.
Alsat
Loading…



