15 September
DSK-ja, institucioni që është truri i sigurisë në shtet, është ende në gjendje të mjerueshme. 2 vjet pas raportit të parë të Pribes në 2015, ky institucion thuajse nuk ka lëvizur as një milimetër përpara në përmirësimin efikas të rolit të stafit të DSK-së, në rivendosjen e etikës profesionale, në menaxhimin e rrezikut, zbatimin e rregullave për mbrojtjen e të dhënave si dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Në raportin e dytë të Pribes, DSK-ja qortohet ende për mbajtjen e monopolit në përgjime, dhe një gjë e tillë lë të hapur mundësinë që përgjimet të përdoren ende në mënyrë të paligjshme nga cilado qendër ilegale, individ apo strukturë etj.
Dy vjet pas raportit të parë, situata në DSK mbetet në pjesën më të madhe të saj, e pandryshuar. Masat urgjente të kërkuara për parandalimin e përgjimeve të paligjshme, nuk janë zbatuar. DSK-ja ende mban monopolin mbi ndjekjen e përgjimeve. Ajo mban ende qasjen direkte te pajisja teknike që bën pasqyrimin e sinjalit telefonik. Ka indikacione se përgjimi i paligjshëm ka vazhduar edhe pas lëshimit të rekomandimeve të para të grupit tonë, në 2015- thuhet në raportin e Pribes.
Në rekomandimet e dyta të Pribes vlerësohet zbehtë edhe puna e deritanishme që ka bërë DSK-ja për përgatitjen e Planit të Reformave të saj në kuadër të projektit “Intelligentia”, pavarësisht mbështetjes që mori nga një emër i rëndësishëm si DCAF (Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura). Siç prezantoi edhe ALSAT pak ditë më parë, Plani i ri në DSK konfirmon ngritjen e një qendre teknike operative, si i vetmi organ për qasje në ndjekjen e komunikimeve. Megjithatë, deri sa kjo reformë të zbatohet, që sipas Pribes, në disa shtete është treguar i suksesshëm, mbetet i hapur shansi për qendra të paligjshme përgjimesh në Maqedoni.
Vendimi i qeverisë për përcaktimin e modelit mbi përgjimet duhet të hyjë në fuqi pa vonesë, për të siguruar një sistem modern me masa të rrepta sigurie që duhen zbatuar menjëherë, për të shuar çdolloj mundësie për qendra të paligjshme përgjimesh- thuhet në raportin e Pribes.
Në raportin e dytë të Pribes ngrihet sërish dyshimi nëse Qendra Teknike Operative, si tërësisht e re, “ex-novo” do t’i rezistojë presionit politik. Siç vërejti edhe ALSAT me një sërë ekspertësh, qendra ende rrezikon të jetë instrument kontrollimi nga ana e ekzekutivit. Pyetja tjetër e rëndësishme që ngre Pribe, është se përveç instrumenteve, DSK-ja ka nevojë për ndryshimin e mentalitetit të brendshëm të punës si dhe kulturës së punonjësve të saj, për ta bërë DSK-në plotësisht funksionale.
Adrian Kerimi

