“Fokus” ka arritur të hyjë në Spitalin Psikiatrik të Bardovcës, ku aktualisht janë të hospitalizuar 298 pacientë. Pamjet dhe dëshmitë nga brenda institucionit zbulojnë një realitet të rëndë: ambiente të rrënuara, dritare pa xhama, mungesë të personelit dhe kushte jetese që nuk përmbushin standardet minimale të dinjitetit njerëzor.
Sipas reportazhit, shumë pacientë jetojnë prej vitesh, madje edhe dekadash, të izoluar nga bota e jashtme. Disa prej tyre janë në këtë institucion më shumë se 40 vjet. Pacienti më i vjetër ndodhet në Bardovcë që nga viti 1979, duke kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij pas dyerve të mbyllura të spitalit.
Punonjësit e institucionit përshkruajnë një situatë të rëndë, ku pacientët jo vetëm që janë harruar nga familjet e tyre, por shpesh ndihen të braktisur nga të gjithë. Sipas tyre, shumë prej të afërmve, pasi i kanë lënë në spital, nuk janë kthyer më as për t’i vizituar.
Ekipi i “Fokus” vizitoi repartin e urgjencës dhe atë të gjendjeve akute, ku trajtohen pacientët me sjellje më agresive. Aty ndodhet edhe një dhomë izolimi, e destinuar për pacientët që paraqesin rrezik për veten ose të tjerët.
Pamjet nga kjo dhomë janë shqetësuese. Bëhet fjalë për një hapësirë të vogël, me katër mure të zhveshura dhe një shtrat të dëmtuar me dyshek të shqyer. Në mure duken gjurmë gërvishtjesh të lëna nga pacientë që, sipas reportazhit, në këtë mënyrë kanë shprehur revoltën dhe vuajtjen e tyre.
Në një dhomë pranë izolimit jeton një paciente e cila, pavarësisht kushteve të vështira, ka tentuar ta shndërrojë hapësirën në një ambient sa më të ngrohtë. Dhoma është e vjetër dhe e amortizuar, por e mbushur me lule që ajo i kultivon vetë dhe i ruan me kujdes.
Sipas reportazhit, gruaja ndodhet në Bardovcë që nga viti 2015. Historia e saj është një nga shumë fatet e rënda që gjenden brenda mureve të këtij institucioni, ku secili pacient mbart një histori të veçantë dhe shpesh tragjike.
Reportazhi ngre pyetje serioze për kushtet e trajtimit të personave me probleme të shëndetit mendor, nevojën për investime urgjente në infrastrukturë dhe mungesën e mbështetjes sociale për pacientët që prej vitesh jetojnë të izoluar nga familjet dhe shoqëria.


