Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Menaxhimit të Krizave (QMK), Agron Buxhaku ka reaguar pas akuzave të përsëritura ndaj tij nga Sindikata e të punësuarve në këtë qendër. Ai ka thënë se i punësuari Ilija Bojarovski, në vazhdimësi tregon qëndrimet personale, por jo edhe qëndrimet e udhëheqësisë së të ashtuquajturës Sindikatë, siç e cilëson ai.
“Bojarovski tërësisht shtrembëron imazhin e fakteve reale, duke dëmtuar reputacionin e institucionit dhe duke penguar punën, por edhe më keq është ajo se është duke u përpjekur të prish bashkëpunimin afatgjatë me Organizatën Ndërkombëtare Japoneze JICA, me të cilën QMK disa vite me radhë ka implementuar projekte të shumta në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Sa për informatë, pritet të aprovohet edhe një tjetër projekt tre-vjeçar po me të njëjtën organizatë që ka të bëjë me reduktimin e rreziqeve nga katastrofat në mjedisin jetësor”
Më tej, në komunikatën e Buxhakut thuhet se sa u përket proces-verbaleve të Komisionit për shpenzimin e 25.000 denarëve në shërbimet hotelierike, në fakt bëhet fjalë për reprezentacion të shpenzuar për 12 anëtarë të delegacionit ne nivel të lartë të Organizatës Ndërkombëtare -JICA.
Sipas buxhetit të parashikuar për vitin 2017 për reprezentacion për drejtorin janë paraparë 100.000 denarë, ndërsa ky buxhet shpenzohet sipas planit dhe dinamikës së zbatimit të buxhetit dhe kjo nuk është shpenzuar ende, shpjegon Buxhaku.
“Sa i takon anës ligjore të punës sime, ekzistojnë organe shtetërore para të cilëve në çdo kohë jemi të gatshëm të japim të gjitha dokumentet dhe informacionet e nevojshme për të përcaktuar ligjshmërinë e punës tonë. Puna e QMK është transparente dhe ne jemi të hapur për bashkëpunim me publikun, por unë nuk do të doja që në të ardhmen që në këtë mënyrë të shpjegoj për çdo deklaratë që është e pabazë nga një njeri i cili dëshiron t’i përmbush vetëm dëshirat dhe ambiciet e tij personale”
/SHENJA/

