Nëse vrasja e dyfishtë në Çarshinë e Shkupit ka prapavijë politike, përgjigje nga institucionet kanë kërkuar nga VMRO-DPMNE. Thonë se Oliver Spasovski tetë vite është në krye të policisë dhe kanë ndodhur qindra vrasje të pazbardhura dhe i bëjnë thirrje të japë dorëheqje.
“Rikthehen vitet e nëntëdhjeta me Kovaçevskin kryeministër, Grubin zëvendëskryeministër dhe Spasovskin, njeriun e parë të policisë, vrasjet po ndodhin nëpër qytete. U jepen pasaporta kriminelëve, trafikantët e drogës ulen pranë personave të parë të Qeverisë. Nuk ka bukë, ka karburante të shtrenjta, inflacion dhe shumë vrasje”, – deklaroi Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
Shërbimet e sigurisë duhet të jenë të kujdesshëm, paralajmëron kryetari nga Lidhja Demokratike. Trajanov shpreson se incidenti së shpejti do të zbardhet.
“Shpresoj që shërbimet do t’i zbardhin së shpejti dhe do të përfshihen të gjitha shërbimet, jo vetëm ata që janë ekspertë të krimeve, sepse është pasojë e krimit të organizuar.”, – theksoi Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike.
T’u besojmë institucioneve dhe t’i lëmë ta përfundojnë punën e tyre, thonë nga LSDM. Kryetari i Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe siguri, Mile Talevski është shprehur i kënaqur me punën e ministrit Oliver Spasovski.
“Kemi një njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme se janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet operative-teknike dhe masat që janë në kompetencë të MPB-së. Pres që ministria të na japë informacione të sakta për gjithçka që ka ndodhur në periudhën më të shpejtë kohore dhe se rasti që ka ndodhur dje do të zbardhet sa më shpejtë.”, – u shpreh kryetari i Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe siguri, Mile Talevski.
Talevski thotë se analizat tregojnë se në dy muajt e fundit krimet janë ulur për 35 për qind.