Prokuroria Speciale, sipas avokatit Naser Raufi, duhej t’i jep prioritet rastit ‘Monstra’, pasi të akuzuarit e këtij rasti, janë më shumë se 5 vjet në paraburgim. Raufi nuk e ka të qartë se përse Specialja nuk e ka kërkuar këtë rast deri më tani, pasi sipas tij, kompetencat e këtij rasti i ka kjo prokurori dhe e njejta posedon materiale të cilat janë me rëndësi kruciale për zbardhjen e saj.
Ai shtoi se në bazë të rrethanave të krijuara, avokatët mbrojtës do të kërkojnë një hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast.
“Deri tani kemi bërë kërkesa tek prokuroria speciale, tani pasi u prolongua edhe kjo me dëshmitë. Duke i pritur dëshmitë të cilat i posedon Prokuroria Speciale, i kemi prit që këto dëshmi që t’i jepen gjykatës supreme, por tani nuk ndodhi kjo, tani do të kërkojmë prej ndërkombëtarëve që të na ndihmojnë për hetimin dhe për zbardhjen e rastit”, deklaroi Raufi.
Megjithatë, Raufi shpreson se në periudhën në vazhdim, gjegjësisht para seancës së ardhshme të caktuar për në shtator, Prokuroria Speciale do të kyçet në këtë rast, pasi të ndryshohet prokurori publik dhe të zgjidhet një më objektiv. Ai gjithashtu thotë se njëra ndër arsyet që deri më tani PSP nuk është kyçur në këtë rast, është edhe ligji për dëshmitarë të koduar.
“Për zbardhjen e këtij rasti është me rëndësi dëshmitari i koduar. Duhet të merret parasysh që dëshmitari që ka qenë i koduar për këtë rast, që ka dhënë disa deklarata të ndryshme. Dhe ne avokatët jemi mëse të sigurtë që ky dëshmitar nuk e flet të vërtetën. Mendoj që me ligjin për dëshmitarë të koduar, që do të ketë edhe një dëshmitar që do ta tregojë se cila prej, sipas meje, strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme e ka montuar këtë rast. Por nuk është për t’u habitur që të jetë i njejti ky dëshmitar në Prokurorinë Speciale i përdorur si dëshmitar”, thotë Raufi.
Për rastin “Monstra”, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona, të cilët akuzohen për masakrën e pesë personave tek Liqeni i Smillkovës. Edhe Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, disa herë paralajmëroi se përmes “bombave” do ta ndihmojë zbardhjen e së vërtetës për këtë vrasje, por megjithatë ai nuk publikoi biseda të përgjuara lidhur me këtë rast.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

