Alsat 2019-07-02T15:34:43+02:00
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, para mediave u përpoq të amnistohej nga akuzat për rregullim tenderi me kompaninë shtetërore italiane “Leonardo” për pasjisje për sistem radarësh. Ai para gazetarëve sqaroi se procedura për furnizim më këto pajisje daton që nga viti 2015 por sigurimi i pajisjes nuk ka ndodhur për shkak të mos-përmbylljes së saj nga ish drejtori teknik Klime Çepunovski. Edhe përskaj insistimit të gazetarëve, Rashkovski nuk u përgjigj se pse në bisedën e publikuar dëgjohet teksa thotë se kompania Leonardo do të fitojë dhe se vendimi i Qeverisë për ritenderim do të shfuqizohet. Ai insistonte në qëndrimin se versioni i publikuar i bisedës është dërguar për ekspertizë dhe do të presë rezultatet e saj. Ai mandej u arsyetua se për procedurën në fjalë vlejnë ligjet angleze duke qenë se financues është Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim.
Tani nëse pyesni se pse dikush është dashur të intervenojë… mendoj se një periudhë prej pesë vite e gjysmë vonëse, edhe atë në një fazë kur akoma nuk ka filluar realizimi i këtij sistemi krucial për sigurinë në hapësirën ajrore në vend është absolutisht e patolerueshme. Për këtë, të gjithë autorizimet, angazhimet dhe obligimet e dhëna nga qeveria për sekretarin e përgjithshëm dhe ministrin për Transport dhe Lidhje dhe të tjerëve që janë në përfshirë në këtë proces janë dhënë që ky proces të marrë një dinamikë të caktuar të realizimit sepse ju për pesë vite e gjysmë të keni marrë mjete nga Banka Botërore për Ripërtërirje dhe Zhvillim dhe të mos i keni shfrytëzuar është punë e pamenaxhuar mirë- deklaroi Dragi Rashkovski, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë tha se vendimi i zgjedhjes së “Leonardos” si kompani fituese e tenderit është nënshkruar nga Filip Popovski, ish kryetar i bordit drejtues, babai i ish ministrit të Jashtëm Nikolla Popovski.
Rashkovski komentoi bisedën e publikuar vetëm në aspektin e përkthimit joadekuat nga anglishtja në maqedonisht dhe kërkoi falje për fyerjet që përdor në bisedë për popujt dhe kombësitë e caktuara si italianët dhe romët.
Unë e marr përgjegjësinë që t’u kërkoj falje të gjithë shteteve të cilat janë përmendur në kontekst negativ në versionin e bisedës, ndaj të gjithë nacionaliteteve dhe popujve, ndaj gjithkujtë që është prekur në versionin e bisedës së publikuar- deklaroi Drago Rashkovski, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.
Rashkovski paralajmëroi padi penale për incizim të paautorizuar joligjor të bisedës ndaj Klime Çepunovskit i cili ka incizuar dhe shpërndarë bisedën. Sipas tij, Çepunovski ishte shkarkuar nga detyra e drejtorit teknik të M-NAV në mars të 2019, disa muaj pas bisedës për shkak të një incidenti me sistemin e radarit. Ai paralajmëroi edhe padi për shpifje dhe fyerje ndaj anëtarëve të opozitës të cilët kishin reaguar ndaj bisedës dhe kishin akuzuar Rashkovskin për rregullim tenderi si dhe ndaj gazetarëve, mediave dhe personave të tjerë të cilat kanë publikuar materialet ose kanë publikuar shkrime mbi to. Ftoi opozitën që nëse ka dëshmi të dorëzojë padi penale ndaj tij.
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Rashkovski mohoi përgjegjësinë morale dhe pasi fillimisht refuzoi të përgjigjet, në fund deklaroi se nuk planifikon të japë dorëheqje.
Fatlume Dervishi
Loading…



