Samet Limani, një emër i shumëpërfolur nga Sopoti, i akuzuar për vendosjen e minës nga e cila vdiqën tre shtetas të huaj. Sameti vdiq ende pa e parë rigjykimin i cili ngjall shpresë për drejtësi në këtë rast, por familja e tij insiston qoftë edhe për së vdekuri të dihet e vërteta për këtë rast që e quajnë të montuar nga politika. Motra e tij e cila ka refuzuar të martohet, në luftë për drejtësi të vëllaut, dhe babai 81 vjeçar thuajse nuk thonë asnjë fjalë pa nxjerrë lot dhe pa mallkuar ata që thonë se kanë marrë në qafë birin dhe vëllain.
RUFIJE LIMANI, MOTRA E SAMET LIMANIT
”Le ta dijë shteti se ku m’i kanë sjellë, edhe vëllaun edhe nanën…E di se e kanë marrë në qafë, por ka Zot. Një ditë edhe ata do t’i hjekin tonat.
ABEDIN LIMANI, BABAI I SAMET LIMANIT
“Ata janë të pafajshëm. Ata politikanët le ti kërkojnë paratë që po i vjedhin e sot spo munden me i gjetë se ku i kanë lanë”
I arratisur për më shumë se pesë vjet, nën hije dhe frikë nga burgimi dhe torturimi dhe larg nënës e babës që çdo ditë e vajtonin mungesën e tij. Ai u kthye në shtëpi para katër vitesh ikje, por në arkivol.
Tashmë, ka katër vjet që ai ka ndërruar jetë, por ende jeton amaneti i tij dhënë motrës dhe familjes, kurrë mos e leni pa nxjerrë drejtësinë pasi jam plotësisht i pafajshëm.
RUFIJE LIMANI, MOTRA E SAMET LIMANIT
“Nuk më hiqet prej mendjes fjala e tij, derisa të shkoj te ai. Edhe ka qenë i shëndoshë, i mirë, kurrë nuk ka pasur dhimbje. Më tha, motër çoma amanetin në vend se jam plotësisht i pafajshëm”
ABEDIN LIMANI, BABAI I SAMET LIMANIT
”Jo, unë nuk kam evlad me shitë”
Motra e Sametit Lutfija, tashmë në të dyzetat, ka hequr dorë nga krijimi i një jete të re jashtë mureve të shtëpisë së babës, pasi ka qenë dëshmitar vetëm e lotëve dhe tmerrit të prindërve të saj dhe të vëllaut, i cili më së shumti prej të gjithëve, kishte shpresë tek ajo, se do të tentojë të kërkojë drejtësinë për të, kur ai të mos jetë më. Rufijën e mundon faktin që vëllau i saj e pagoi çmimin më të lartë të këtij siç e quan, procesi të montuar, ndërsa politikanët shqiptarë as që e kanë vizituar, e aq më pak ta kenë ndihmuar.
RUFIJE LIMANI, MOTRA E SAMET LIMANIT
”Sot, një deputet me thirrë ndoshta për darkë, dikun ku ka shkojnë. E unë i thërras qe katër vjet. Ejani. Një vizitë nuk kushton asgjë. Jemi shkrumbu qe 15 vjet. Me vdekje, me mërzija, me dhimbje, me mall dhe nuk na ka ra askush mas. Kujt t’i drejtohem unë. Kush e çon vëllaun tim edhe nëse del se është i pafajshëm. Kjo është turp edhe prej politikanëve edhe prej krejtve. Turp. Se krejt e dinë. Se ata vetë e kanë bërë. Këta politikanët e kanë montuar dhe i kanë marrë në qafë këto njerëzit që janë të pafajshëm. Ata janë shumë të pafajshëm”
Vdekjes së Sametit nuk i duroi as nëna e tij e cila pas afro një viti, ndërroi jetë pa pasur ndonjë histori sëmundjeje.
RUFIJE LIMANI, MOTRA E SAMET LIMANIT
“Kërkush nuk na ka ra mas. Me thanë bile pakëz të shkoj dhe ta shoh atë familje. Kam mbetur vetëm me babën dhe vëllaun. Edhe unë e kam nxirë jetën time për këtë dhe do ta nxijë deri në pikën e fundit. Nëse vëllau im dënohet, unë do ta mbaj burgun e tij. Por, unë duhet të shkoj tek varri dhe t’i them je i pafajshëm. Ai e pret këtë, se nuk e kalbë toka”
Rufija me babain 81 vjeçar, jetojnë çdo ditë me kujtimin e nikoqirit të shtëpisë, i cili mbante barrën e të mirës dhe të keqes së familjes. Plaku i shtëpisë nuk lejon askënd të zhvendos gjësendet e djalit dhe insiston që ata që ia morën djalin, një ditë do ta paguajnë edhe vetë çmimin. Shpesh e kujton ditën e shpërthimit të minës, por nga mosha e shtyrë, harron nga e ka nisur fjalën dhe ku e ka mbaruar, por vetëm kur e përmend emrin e djalit sytë i mbushen me lot.
Sadoqë që e rëndë është jeta për ta, familja Limani vazhdon të jetojë me kujtimin për jetën e mirë që e kishin dikurë, kur kryefamiljari nuk ishte detyruar të arratiset dhe të vdesë larg derës së shtëpisë. I mban edhe shpresa që emri i birit dhe vëllaut të tyre nuk do të harrohet asnjëherë nga shqiptarët. /Ferikan Iljazi Arifi

