Mëngjesin e sotëm u raportua se një mjet shpërthyes ishte vendosur në një fabrikë që ndodhet në lagjen Ilinden, transmeton Portalb.mk.
“Sot në mëngjes rreth orës 08:20 në SPB Shkup, një e punësuar në një institucion në Ilinden raportoi se në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm në emailin zyrtar të institucionit ka pranuar mesazh se fabrikë është vendosur mjet shpërthyes. Aktualisht në terren janë edhe ekipet e SPB Shkup dhe njësiti kundër terrorizmit. Pasi u bënë të gjitha kontrollet e nevojshme, u konstatua se nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes, u vërtetua se bëhej fjalë për kallëzim të rremë”, thuhet në komunikatën për media
Ndonëse sipas njoftimit thuhet se bëhet fjalë për kallëzim të rremë, për momentin të gjithë punonjësit e fabrikës janë jashtë dhe nën stres. TV 24 raporton se qasja e ekipit të saj nuk lejohet për arsye sigurie.
Më shumë informacione nga ekipet policore do të njoftohen më vonë.
Ndryshe, gjatë vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të mjeteve shpërthyese. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.