Gjykatat kanë autorizuar 3,063 operacione përgjimi me 4,168 persona të dyshuar për shkelje penale në vitin 2018, sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme.
Në vitin 2019, agjencitë e sigurisë ndërmorën 2,714 operacione përgjimi të miratuara nga gjykata ndaj 5,062 personave. Vitin e kaluar janë autorizuar 3,816 raste përgjimi nga gjykatat ndaj 3,535 personave. Në shumë pak raste u refuzuan përgjimet.
Ndërkohë, dispozitat në ligjin për Policinë e Shtetit që e lejonin atë të përgjonte masivisht qytetarët pa autorizim paraprak të gjykatës kanë tërhequr vëmendjen e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International”.
Në raportin e saj vjetor për 154 shtete, në kapitullin për vendin tonë “Amnesty International” shkruan; “Ato dispozita u gjetën jo kushtetuese pasi vendosën kufizime të paligjshme në të drejtën e privatësisë.”
Anulimi i tyre erdhi korrikun e vitit të shkuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky nuk është i vetmi problem për të cilin “Amnesty International” shkruan në kapitullin për vendin tonë.
Sa i përket privatësisë organizata ndërkombëtare kthen vëmendjen tek skandali i nxjerrjes së të dhënave të 900 mijë shqiptarëve në zgjedhjet e fundit.
“Një bazë e paligjshme e të dhënave që mbante informacione personale të rreth 900,000 qytetarëve”
“Në fillim të prillit, një bazë e paligjshme e të dhënave që mbante informacione personale të rreth 900,000 qytetarëve dhe e përdorur nga Partia Socialiste për qëllime elektorale u zbulua disa ditë para zgjedhjeve. Gjithsej 162 qytetarë paditën Partinë Socialiste për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave”, shkruan në raport “Amnesty International”.
Organizata ndërkombëtare vë në dukje gjithashtu se në dhjetor dy baza të tjera të dhënash shkaktuan zemërimin publik.
Ato mbanin informacione për pagat, vendet e punës dhe llojin e makinës në pronësi për më shumë se 600,000 taksapagues.
“Shqetësime u ngritën në lidhje me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e burimeve dhe frikësimin e gazetarëve.” shkruan organizata ndërkomëtare.
Me rëndësi “Amnesty International” sheh dhe rimbursimin për Covid 19 sipas së cilës numri i të infektuarve ishte shumë më i madh se paketat e trajtimit vënë në dispozicion për to.
Reforma në drejtësi sipas organizatës ndërkombëtare vazhdoi ngadalë ndërs dhuna ndaj grave mbetet problem.
“Deri në fillim të dhjetorit, ishin lëshuar 2754 urdhra mbrojtjeje, por ishin zbatuar keq”, shkruan “Amnesty International” që thekson gjithashtu se 16 gra u vranë, një pas seancës se divorcit
“Amnesty International” mbyll kapitullin për vendin tonë me 866 afganët që mbërritën në Shqipëri në gusht dhe morën statusin e mbrojtjes së përkohshme për një vit.
Studimi nga Friedrich Ebert Stiftung
Në një shkrim, BIRN shkruan se studim i publikuar nga Friedrich Ebert Stiftung në fund të vitit 2018 zbuloi se në shtatë vitet para këtyre shifrave, 2010-2017, hendeku midis numrit të personave nën përgjim dhe numrit të rasteve të përfshira u rrit, duke ngritur pikëpyetje mbi domosdoshmërinë e masave të tilla.
Ai përmendi shqetësimin për “numrin relativisht të lartë të njerëzve me qasje në përgjim, duke sugjeruar se kjo ka qenë një pikë e dobët, sepse rrjedhjet e kanë bërë përgjimin më pak efikas” dhe bëri thirrje për raporte vjetore mbi aktivitetet e përgjimit në mënyrë që të promovohet transparenca.
“Ka një skarcitet të konsiderueshëm në përgjim, në kuptimin e rezultateve të dobishme në hetimet e shkeljeve të ndryshme”, tha avokati Jordan Daci.
“Autorizimet nuk janë justifikuar ose të paktën i kanë kushtuar pak rëndësi justifikimit të kërkesave të tilla”, tha ai për BIRN dhe bëri thirrje për kontrolle më të rrepta nga gjykatat kur bëhet fjalë për miratimin dhe kryerjen e përgjimit.
Shumë pushtet në duart e kreut të SPAK
Lirime Cukaj, profesoreshë e së drejtës penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, tha se Ligji i Shqipërisë për Komunikimet Elektronike, parashikon përgjime parandaluese për vepra të rënda penale që cenojnë sigurinë publike ose kombëtare me qëllim ndalimin e tyre përpara se të ndodhin.
Cukaj tha se ligji duhet të përmirësohet për sa i përket përcaktimit të veprave të rënda penale dhe faktit se vendimi për miratimin e një përgjimi i takon vetëm kryetarit të SPAK.
“Problemi është se këto krime të rënda nuk janë identifikuar në ligj”, tha Cukaj për BIRN.
“Nëse do të kishim një përkufizim të tillë, në përputhje me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, do të kishim më shumë garanci për individin ndaj të cilit kërkohet përgjimi parandalues.
“Elementi i dytë është se i lihet vetëm një subjekti, pra kryetarit të SPAK, të vendosë për përgjimin. Kjo nuk mund t’i lihet një individi.”



