Komisioni Evropian publikon sot raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut. Një pjesë të raportit ka siguruar Agjencia e lajmeve MIA, ku zbardhet se në të është vlerësuar përparim në shumicën e fushave, por edhe pjesë ku nevojiten përpjekje shtesë, siç janë korrupsioni, administrata publike dhe mediat. Për sa i përket kritereve politike, KE-ja është e kënaqur që partitë opozitare kanë mbetur të angazhuara në procesin politik, duke siguruar mbështetje për çështje me interes kombëtar siç janë reformat e BE-së dhe anëtarësimi në NATO. Në raport mirëpritet marrëveshja ndërpartiake për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe formimin e qeverisë teknike, si edhe shtyrja e zgjedhjeve për shkak të pandemisë Kovid-19.
Raporti i KE-së
“Në përputhje me konkluzionet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Komisioni i vlerësoi ato si të mirëorganizuara, në një frymë vërtet konkurruese, por theksoi se stabiliteti ligjor ishte minuar nga ‘revizionet thelbësore të kornizës ligjore dhe sundimi pasues i ligjit, përmes dekreteve të qeverisë’, respektivisht vendimet me fuqi ligjore, të cilat dolë nga gjendja e jashtëzakonshme për shkak të Kovid-19”
Komisioni thekson se rritja e konsiderueshme e procedruvae të shpejta është një arsye shqetësuese dhe duhet të kufizohet. “Përpjekjet për të forcuar situatën ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë të mirëseardhura. Në pjesën e reformës së shërbimeve të inteligjencës nga shtatori i vitit 2019, progresi është i mirëpritur në përputhje me rekomandimet e grupeve të ekspertëve për krijimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare si një organ i pavarur pa kompetenca policore, ndryshe nga ish – Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim. Sidoqoftë, nevojiten përpjekje shtesë që Agjencia të ketë akses në të gjitha mjetet e nevojshme për të qenë në gjendje të përmbushë mandatin dhe detyrat e saj. Gjithashtu nevojitet edhe përforcim i mbikëqyrjes parlamentare të shërbimeve të inteligjencës”, rekomandon Komisioni Evropian.
Pikë e dobët mbetet reforma e administratës publike. Në këtë pjesë, Maqedonia e Veriut vlerësohet si “e përgatitur mesatarisht”. Parimet e transparencës, meritës dhe përfaqësimit të barabartë mbeten thelbësore, rekomandon KE-ja. Puna e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit është e mirëseardhur dhe pritet një rezultat i duhur nga raportet dhe rekomandimet e këtij Komisioni.
Gjyqësori, si pjesë themelore e procesit të integrimit evropian, duhet të vazhdojë të përmirësohet, por vlerësohet “përparim i mirë” në zbatimin e strategjisë së reformës për gjyqësorin.
KE-ja po kërkon përpjekje shtesë për të siguruar zbatimin sistematik të planit të rishikuar të veprimit të strategjisë gjyqësore. Puna e Këshillit Gjyqësor, i cili kryen detyrat e tij në mënyrë aktive, është e mirëpritur, ndërsa mekanizmat për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit, llogari-dhënien, procedurat disiplinore dhe parandalimin e konfliktit të interesit janë përmirësuar.
Nuk anashkalohen, as Prokuroria Publike, as pasojat e dështimit së Prokurorisë Speciale Publike, as aktgjykimi kundër Katica Janevës.
Raporti i KE-së
“Ligji për Prokurinë Publike, ndër të tjera, ka për detyrë të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për rastet që vijnë nga përgjimet e paligjshme. Lufta kundër korrupsionit, gjithashtu një pjesë themelore e procesit të integrimit në BE, ka bërë përparim të mirë në hetimin, ndjekjen penale dhe marrjen e vendimeve të çështjeve të profilit të lartë të korrupsionit dhe veçanërisht mirëpritet puna e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dhe roli i tij proaktiv në këtë fushë”
Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe një qasje më proaktive duhet të sigurohet nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, citohet në raport.
Megjithëse Maqedonia e Veriut ka një kornizë ligjore në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e të drejtave themelore, një dobësi e madhe për momentin është se vendi nuk ka një ligj gjithëpërfshirës anti-diskriminimi pasi ligji u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese për gabimet procedurale. KE-ja e konsideron këtë si një “mangësi serioze” që duhet të korrigjohet nga përbërja e re. Dobësi e Maqedonisë së Veriut është gjithashtu edhe zbatimi i legjislacionit për të parandaluar gjuhën e urrejtjes.
Në raportin e sivjetmë të KE-së, sipas Agjencisë MIA, kritikohet gjithashtu edhe fakti që nuk ka hetues vërtet të pavarur për të kryer mbikëqyrje efektive mbi punën e policisë, gjë që do të mundësojë trajtimin efektiv të fenomenit të mosndëshkimit në polici. Masat e menjëhershme janë të nevojshme gjithashtu për të përmirësuar situatën në burgje dhe për të gjetur zgjidhje alternative për paraburgimin dhe burgimin. Komisioni Evropian vëren përparim të moderuar në fushën e lirisë së medias, por vëren se tensionet janë rritur gjatë krizës Kovid-19 dhe gjatë fushatës zgjedhore. “Përpjekjet për vetërregullim duhet të intensifikohen në mënyrë që të përmirësohen standardet profesionale dhe cilësia e gazetarisë”, citohet në raport.
Raporti i KE-së
“Nevojitet një transparencë më e madhe në fushën e reklamimit të shtetit, reklamimi publik dhe partiak në media, dhe pritet një zgjidhje e qëndrueshme për pavarësinë, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare të Radio Televizionit Maqedonas. Është thelbësore të vazhdojmë të mbështesim pluralizmin e medias, duke promovuar profesionalizmin, raportimin objektiv, gazetarinë investigative si dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë për të luftuar dezinformimin”, citohet në raportin e KE-së”
Komisioni thekson se vendi duhet të vazhdojë të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë dhe të zbatojë marrëveshjet dypalëshe.




