SPB Gostivar dhe SPB Tetovë kanë raportuar dy raste të dyshuara mashtrimi, me dëme financiare prej 350 dhe 450 eurosh. Ndërkohë, në bulevardin “Ilinden” në Tetovë, një 56-vjeçare është goditur nga një veturë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Sipas njoftimit të SPB Gostivar, më 16 nëntor, në orën 13:20, një 69-vjeçar nga rajoni i Gostivarit ka denoncuar se është mashtruar nga personi me inicialet S.L., për shumën prej 350 eurosh.
“Sipas kallëzimit, ai ishte marrë vesh me S.L. për riparimin e automjetit të tij të pasagjerëve ‘Mercedes’, të cilin ia kishte lënë në punishte, kurse kur kishte shkuar për ta marrë automjetin, nuk kishte gjetur as automjetin e as personin S.L.”, bëjnë të ditur nga SPB Gostivar.
Policia njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Një rast tjetër i dyshuar mashtrimi është raportuar në SPB Tetovë. Një 50-vjeçare nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga A.A., pronar i një fabrike dhe salloni mobiljesh në të njëjtin fshat, për shumën prej 450 eurosh.
“Para rreth dy muajsh ajo ishte marrë vesh me A.A. që t’i punonte orendi (mobilje), me ç’rast ia kishte dhënë paratë. Deri në ditën e raportimit, ai me shkaqe të ndryshme nuk i kishte dorëzuar orenditë dhe as ia kishte kthyer paratë”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.
Nga policia bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për dokumentimin e plotë të rastit.
Ndërkaq, në një incident tjetër në Tetovë, një 56-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi është goditur nga një veturë.
Sipas SPB Tetovë, aksidenti është raportuar më 16 nëntor, rreth orës 17:35, në bulevardin “Ilinden”. Një automjet i tipit “Suzuki”, me targa të Tetovës, i drejtuar nga 56-vjeçari N.A. nga Tetova, ka goditur 56-vjeçaren N.D., po ashtu nga Tetova.
“Në aksident, N.D. ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës”, njofton SPB Tetovë.
Në vendin e ngjarjes është kryer ekspertizë nga ekipi i ekspertizës i SPB Tetovë.



