Koncepti i VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit qysh herët është përcaktuar për një opsion i cili është anti perëndimor dhe anti shqiptar. Kështu deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani, i cili ishte i ftuar në edicionin e lajmeve të orës 15:55 në TV Shenja.
“Sa kalonte koha, ata filluan edhe të fuqizohen institucionalisht. Tashmë 10 vite kanë pushtet, dhe fatkeqësisht BDI-ja duke i dhënë numra, ata ngelën edhe një kohë të gjatë në pushtet për të forcuar atë opsionin e tyre, dhe sapo kalonte koha kur u kuptua se ato janë futur edhe në kriminalitet, korrupsion, etj, dhe ata filluan ta rrisin peshën, sidomos Nikolla Gruevski. Po del se në opsionin pro-rus kanë hyrë thellë dhe duan ta arsyetojnë me veprimet e tyre se ata janë për ta mbrojt Maqedoninë”, deklaroi Ramadani.
Ndërsa sa i përket mbrojtjes së interesit të VMRO-DPMNE-së nga ana e përfaqësuesve të partive shqiptare, BDI dhe PDSH, Ramadani tha se kjo është vazhdimësi e bisedimeve të Përzhinos ku edhe atëherë përfaqësuesit e dy partive shqiptare ishin në krah të VMRO-DPMNE-së dhe kundër LSDM-së.