Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Samitin e IV të Diasporës, theksoi rolin e shqiptarëve jashtë vendit dhe në rajon në ndërtimin e së ardhmes së kombit.
Rama u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por në çdo vend ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, duke përmendur qytete si Roma, Athina, Londra, Zyrihu, Nju Jorku dhe Berlini. Ai theksoi se kontributi i diasporës është thelbësor për zhvillimin dhe perspektivën evropiane të vendit.
Një vëmendje të veçantë kreu i qeverisë i kushtoi shqiptarëve në rajon, duke nisur nga Kosova, të cilën e cilësoi si shtetin tjetër të pavarur të shqiptarëve.
Duke u ndalur te Maqedonia e Veriut, Rama theksoi se shqiptarët atje janë një element kyç në shtetin fqinj, duke nënvizuar se ata janë “një popull shtetformues i Republikës mike”. Ai shtoi se ky realitet nuk duhet harruar nga askush dhe përbën një bazë të rëndësishme për bashkëjetesën dhe zhvillimin e vendit.
E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por dhe në Romë, Athinë, Londër, Zyrih, New York, Berlin, në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë. Por e ardhmja e Shqipërisë shkruhet kudo shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur i shqiptarëve, Kosova dhe pastaj dhe duke vazhduar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët s’duhet ta harrojë askush janë një popull shtetformues i Republikës fqinje dhe mike e duke vazhduar dhe me shqiptarët në Mal të Zi e gjetkë”, deklaroi Rama.
Rama përmendi gjithashtu edhe shqiptarët në Mali i Zi dhe në treva të tjera, duke theksuar se shqiptarët kudo që jetojnë janë pjesë e të njëjtit identitet dhe kontribuojnë në forcimin e lidhjeve kombëtare.
Sipas Ramës, kalimi “nga distanca në afërsi dhe nga ndjenjat në strategji” është thelbësor për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme, ku shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, luajnë një rol të përbashkët në zhvillimin ekonomik e politik.


