Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar sot opinionin për gjendjen financiare të Qytetit të Shkupit, duke njoftuar se këtij institucioni për herë të parë i është bllokuar llogaria bankare dhe i kanoset bankroti, informon PRESSonline.al .
“Këshilli i Qytetit të Shkupit në fund të vitit të kaluar votoi për buxhetin prej 700 milionë denarë ose mbi 100 milionë euro për vitin 2023. Sot, disa muaj më vonë, Qyteti i Shkupit për herë të parë në historinë e tij e ka të bllokuar llogarinë dhe i kërcënohet bankroti”, thonë nga LSDM.
Nga LSDM drejtojnë gishtin kah VMRO DPMNE-ja duke kërkuar llogari prej tyre për shpenzimin e parave publike pasi ato kanë të gjitha bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse në ndërmarrje dhe institucione, si dhe shumicën në Këshill.
“VMRO-DPMNE duhet të thotë se ku janë shpenzuar paratë e Shkupit, sepse ajo parti i ka të gjitha bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse në ndërmarrje dhe institucione, ajo parti e ka shumicën në Këshill. Gjendja pothuajse në të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet publike në Shkup është katastrofale dhe për këtë është drejtpërdrejt përgjegjëse VMRO-DPMNE dhe stafi i kryetarit të komunës Hristijan Mickoski. Janë shpenzuar mbi 100 milionë euro, ndërsa qytetarët nuk kanë parë realizimin e asnjë projekti kapital. Edhe projektet e trashëguara si urat në bulevardin ASNOM dhe rruga Ljubljanska, rindërtimi i Sallës Universale, rrethrrotullimi në Momin Potok, kanë qëndruar në vend për më shumë se një vit e gjysmë. Buxheti i shpenzuar dhe projektet e parealizuara, ja çfarë do të thotë kur VMRO-DPMNE-së i jepet mundësia të menaxhojë me paratë e popullit”, thonë nga LSDM. (PRESSonline.al)