Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka ndërprerë konkursin për punësimin e 20 zjarrfikësve, shkruan Alsat.
Në konkursin në fjalë, i cili ishte hapur gjatë verës dhe tashmë ishte në fazën përfundimtare, ishin paraqitur 71 kandidatë.
20 kandidatët që do të kalonin të gjitha fazat e konkursit do të angazhoheshin në Brigadën e Zjarrfikësve. Kryetarja e Grupit të këshilltarëve të LSDM-së në Qytetin e Shkupit, Ljubica Jançeva, tha se ky vendim është në dëm të qytetarëve, duke pasur parasysh se numri i zjarrfikësve është më i vogël se ai i parashikuar me ligj.
“Por, mesa duket kjo gjë nuk i intereson Arsovskës, e cila për tekat e saj personale ndërpret konkurs publik që ishte në fund të procedurave për të punësuar 20 zjarrfikës të rinj. Me këtë sjellje, destruktivja Arsovska, vepron rrezikshëm kundrejt Brigadës së Zjarrfikësve dhe rrezikon sigurinë e përgjithshme të qytetit. Punon për interesat personale dhe të partive dhe kundër interesat të qytetarëve”, tha Jubica Jançeva- grupi i këshilltarëve të LSDM-së.
Në brigadën e zjarrfikësve në Shkup ka 160 zjarrfikës, ndërsa bazuar në atë që parashikohet në ligj, ky numër duhet të jetë 390. Maqedonia e Veriut ka vetëm 24 njësi zjarrfikësish, ndërkohë që në krahasim me numrin e komunave, ky numër është 3 herë e gjysmë më i ulët. Në vendin tonë ka rreth 600 të tillë, ndërsa duke marrë parasysh se numri i popullsisë në 84 komunat në vend është rreth 2 milion, numri i zjarrfikësve duhet të ishte mbi 1300 zjarrfikës.
Tentuam të kontaktojmë me kryetaren e Qytetit të Shkupit për të dëgjuar argumentet e saj për ndërprerjen e këtij konkursi, por shërbimet na thanë nuk japin deklarata ad-hoc dhe se do të përpiqen të përgjigjen me shkrim. Deri në këto momente nuk kemi pranuar asnjë përgjigje prej tyre./ Alsat.mk