Qendra për Kulturë dhe Zhvillim si realizatore e projektit “Parandalim i dhunës gjatë periudhës së zgjedhjeve” dha sot vlerësimin e saj sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 2016-tës.
Kryetar i Qendrës për Kulturë dhe Zhvillim, njëherit dhe udhëheqës i këtij projekti, vlerësoi se zgjedhjet e fundit kaluan pa asnjë incident, ndërsa presin që edhe rivotimi i së dielës të kalojë poashtu pa incidente dhe në mënyrë të qetë.
“Qendra për Kulturë dhe Zhvillim pret që rivotimi në Tearcë, të dielën , më 25 dhjetor 2016 të kaloj në një atmosferë të qetë, fer dhe demokratike, me çka zyrtarisht do të përfundoj procesi i votimit. Presim që deri në fund të vitit të konstituohet parlamenti, me çka përfundimisht do të filloj procesi për zgjidhjen e krizës dyvjeçare”, ka deklaruar Nellko Nellkovski, kryetar i Qendrës për Kulturë dhe Zhvillim.
Kjo krizë dyvjeçare e cila e ka kapluar Maqedoninë dhe rezultati i zgjedhjeve tha Ndellkovski, tregojnë qartë se është bërë një ndarje e shoqërisë në angazhimin nacional dhe ideologjik. Kjo ndarje rezulton në mandate të ndara të pozitës dhe opozitës së tanishme.
“Qendra për Kulturë dhe Zhvillim konstaton se situata e këtillë gjenerohet nga gabimet shumëdekadëshe që po përsëriten, në formimin e përgjithshëm të sistemit të shoqërisë në vendin tonë dhe është e domosdoshme një analizë e thellë e gjendjes sociale dhe politike, në të cilën ndodhet vendi jonë dhe hapja e procesit afatgjatë për gjithë rrethanat negative të cilat e kanë sjellë së fundmi vendin në aktualitetin e tanishëm”, tha më tej ai.
Ndryshe, ai cilësoi se zgjedhjet e fundit kanë kaluar në mënyrë demokratike, pa asnjë incident , në të gjitha vendvotimet dhe në gjithë qytetet dhe fshatrat e Republikës së Maqedonisë.
Kjo qendër i bënë thirrje gjithë subjekteve politike që të hapin bisedime serioze, thelbësore, produktive dhe korrekte, të cilat do të rezultojnë në formimin e një qeverie stabile e cila do të përmirësojë përditshmërinë e qytetarëve dhe do të sjellë paqe në vend.
Emine Ismaili /SHENJA/