Ndërmarrjeve të cilat ushtrojnë veprimtarinë e prodhimit dhe kanë fabrika prodhimi, u rekomandohet në fabrika ku drejtpërdrejtë kryhet procesi prodhues, të limitohet numri i të punësuarve në mënyrë që të punësuarit të mbajnë distancë prej njëri-tjetrit nga dy metra.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp u rekomandohet të mos i ndërrojnë vendet e punës dhe në vetë fabrikën detyrimisht të sigurohet mjet për dezinfektim të duarve dhe sipërfaqeve të punës. Gjatë orarit të punës nga ana e të punësuarve të respektohen masat e përgjithshme të rekomanduara për nivel më të lartë të higjienës personale dhe të përgjithshme.
“Të ndalohet grupimi gjatë pauzës në grupe më të mëdha se maksimum 5 persona. Të bëhet ajrosje më e shpeshtë e hapësirave të punës gjatë ditës dhe nëse ka mundësi (përmes ventilimit natyror dhe artificial). Njëherë në javë të bëhet dezinfektimi i të gjitha hapësirave të punës për çka të mbahet evidencë e rregullt”, thonë nga shërbimi qeveritar për shtyp.
Disa nga rekomandimet janë edhe në rast të ndonjë rasti të konfirmuar pozitiv me koronavirus (me apo pa simptoma), personi menjëherë të izolohet dhe të dërgohet në shtëpi dhe të këshillohet menjëherë ta kontaktojë mjekun e tij amë.
“Personi përgjegjës i ndërmarrjes e njofton Qendrën për shëndet publik(QSHP), u parashtron të dhëna të plota për punëtorin/en pozitiv me Kovid-19 (emri dhe mbiemri, adresa, numri i telefonit), përgatitë listë të personave të cilët në pajtim me vendin e punës janë në afërsi (afër tij, para dhe prapa), në vendin e punës të punëtorit pozitiv, që pastaj dorëzohet tek shërbimi epidemiologjik i QSHP-së”, shtohet në kumtesë.
Pas kontrollit të kryer epidemiologjik nga ana e QSHP dhe vlerësimit të bërë të rrezikut, thonë nga Qeveria, definohet lista e personave të cilët me vendim nga Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor vendosen nën mbikëqyrje shëndetësore për izolim shtëpiak në[ kohëzgjatje prej 14 ditëve. Pas pastrimit të hollësishëm mekanik të fabrikave/hapësirave dhe dezinfektimit të bërë nga ana e entit të autorizuar, shtohet në kumtesë, vazhdohet me procesin normal prodhues.
Nga Qeveria theksojnë të evitohet kontakti i personave të punësuar nga fabrikat mes veti gjatë procesit punues, e posaçërisht me nëpunësit administrativ, ndërsa në rast të nevojës për punë administrative, nënshkrimit të dokumenteve, kjo kryesisht të bëhet përmes një personi të caktuar i cili mban pajisje mbrojtëse (maska dhe dorëza mbrojtëse).
“Personat e angazhuar për siguri të objektit të mbajnë gjithashtu pajisje mbrojtëse personale. Vozitësit të cilët distribuojnë prodhime të gatshme, repromateriale, dokumente të letrës gjithashtu të mbajnë pajisje mbrojtëse. Të mos mbahen takime, kolegiume dhe të njejtat të bëhen përmes telefonit apo me postë elektronike nëse është e mundur apo në sallë me respektim të distancës prej një metër e gjysmë mes veti”, ceket në kumtesë.



