Deri në muajin korrik të vitit të ardhshëm duhet të përgatitet Regjistri Qendror i popullatës në Maqedoni. Sipas qeverisë, qëllimi i grumbullimit të të dhënave nga qytetarët është që të njëjtit të marrin shërbime më cilësore nga disa institucione shtetërore, siç është Kadastra ose Ministria e Brendshme. Nga qeveria mohojnë se me formimin e një Regjistri të këtillë duan ta zëvendësojnë regjistrimin e popullatës që duhej të ndodhë që në vitin 2011. Për zëdhënësin e qeverisë, Mile Boshnjakovski është hipotetike pyetja nëse ky Regjistër do të shërbejë për vërtetimin e përfaqësimit etnik në përqindje e me këtë edhe mundësia për vërtetimin e të drejtave që dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
Përsëri flasim për kohën e ardhshme. Kjo vegël do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që më thjeshtë t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre. Ky është qëllimi elementar i veglës. Kështu që, kur ajo do të jetë plotësisht funksionale, ne si shtet do të kemi mundësi, nëse duam dhe nëse vendosim t’i konfirmojmë rezultatet e regjistrimit të ardhshëm, këtë do ta bëjmë përmes kësaj vegle- deklaroi zëdhënës i qeverisë Mile Boshnjakovski.
Sipas Boshnjakovskit, regjistrimi do të realizohet kur do të përmbushen kushtet për këtë. Në takimin me gazetarët e më pas në deklarata, megjithatë me këmbëngulje pohonte se Regjistri nuk është mjet përmes të cilit qeveria do t’i evitojë aspektet kontestuese të procedurës së regjistrimit. Për përgatitjen e regjistrimit, i cili si plan ekziston tanimë 4 vite, pëlqim ka dhënë edhe BDI-ja.
GoranTemenugov

