
Alsat 2019-09-28T16:00:21+02:00
Numri gjithnjë e në rritje i qenve endacake përbën rrezik për banorët e Komunës së Tetovës. Qendra strehimore ka 2 muaj që nuk funksionon për shkak të mungesës së fondeve. Kompania e cila është marrë me strehimin, vaksinimin dhe kastrimin e qenve, thotë se në mungesë të fondeve e ka ndërprerë angazhimin dhe se të gjithë qentë janë lëshuar në rrugë.
Ka afër 60 ditë që ka përfunduar tenderi i parë. Na kanë premtuar që muajin e ardhshëm do të hapin tender të ri dhe nëse e fitojmë tenderin do të fillojmë prapë me punë, nëse nuk e fitojmë le të fillon dikush tjetër pa marr parasysh, vetëm është e rëndësishme që të vazhdohet kjo punë dhe të mos ndalet në gjysmë”-tha Rami Selmani, pronar i firmës DOGCAT.
Nga Komuna e Tetovës ndërkaq thonë se janë në përgatitje e sipër të dokumentacionit të nevojshëm për hapjen e tenderit të ri, për strehimin e qenve endacak. Sipas komunës, nevoja e madhe për ndërhyrje, ka bërë që të harxhohen fondet e parapara për qentë endacak. Madje kompetentët thonë se shtimi i numrit të qenve endacak ka ardhur si pasojë e prurjeve të qenve nga komunat tjera.
Fatkeqësisht jemi të vërshuar pasivisht nga komunat e tjera, të cilat nga mungesa e kapaciteteve për tu ballafaquar me këtë fenomen, i sjellin në Tetovë. Është lajmëruar edhe SBP-Tetovë dhe e njëjta do të ndjek rastet në fjalë”-thonë nga Komuna e Tetovës.
Shqetësim kanë ngritur edhe organizata “Nëna dhe Fëmija”, e cila apelon që urgjentisht të merren, para se të ndodhë ndonjë sulm fatal ndaj fëmijëve.
Nuk mjafton vetëm të vaksinohen qentë ashtu siç është bërë deri më tani, duhet seriozisht të funksion qendra për strehim, të strehon qentë, kafshët nuk janë fajtorë, por as fëmijët tanë nuk janë fajtorë dhe duhet shumë kujdes të kemi. Përsëri Komuna e ka përgjegjësinë dhe përsëri ata duhet të gjejnë një mënyrë për të zgjedhur këtë problem që është mjaftë serioz dhe besoj se do të gjendet zgjidhja para se të bëhet ndonjë incident me pasoja të rënda”-theksoi Elmedina Abdullahi – Organizata “Nëna dhe Fëmija”.
Ndërkaq edhe qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar nga prania e shumtë e qenve që bredhin rrugëve.
“Më të rrezikuarit janë nxënësit e shkollës fillore. Prandaj duhet të merren masa nga institucionet kompetente për sigurinë e qytetarëve”.
“Duhet të marrin masa urgjentisht sepse ka fëmijë dhe kjo dukuri mjaftë shumë i rrezikon fëmijët”.
Televizoni Alsat jozyrtarisht mëson se Komuna e Tetovës parasheh që tenderin e ardhshëm të ndajë rreth 8 mijë euro për strehimin e qenve endacak. Kjo shumë, sipas kompanive për strehimin e qenve, është shumë e vogël dhe e njëjta nuk mund të mbuloj shpenzimet as edhe për një muaj, duke pasur parasysh numrin e madh të qenve që bredhin rrugëve.
Besian Leka
Loading…




