Qëllimi është integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo do të arrihet kur të plotësohen kushtet, tha Juncker në Strasburg..
Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker deklaroi sot para Parlamentit Evropian se vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë një perspektivë të mirëfilltë evropiane, përcjell Almakos.
“Qëllimi duhet të përcaktohet qartë. Qëllimi është integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo do të arrihet kur të plotësohen kushtet”, tha Juncker në Strasburg.
Presidenti i Komisionit Evropian u tha parlamentarëve evropianë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një “perspektivë të vërtetë evropiane”, por se kjo “nuk do të vjen nga qielli”.
“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor në shkurt dhe mars. Dua të dëgjoj qëndrimet e tyre. Unë dua t’u them atyre se cilat janë pritjet tona. Bashkimi me BE nuk bie nga qielli, për këtë duhet të punohet”, tha Juncker.
Ai tha se të gjitha konfliktet kufitare midis vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhen përpara hyrjes së tyre në BE. Kushti i dytë për t’u bashkuar me BE-në, sipas Presidentit të Komisionit Evropian, është sundimi i ligjit.
” Ne kemi projekte të përbashkëta me vendet e Ballkanit Perëndimor në sferën e sigurisë, transportit, migrimit, digjitalizimit, energjisë. Të gjitha këto janë interesat tona të përbashkëta, dhe sundimi i ligjit është një nga projektet e rëndësishme. Kjo është baza mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi ynë “, tha Juncker.
“Është një vlerë themelore dhe pa sundimin e ligjit, vendet nuk mund të hyjnë në BE. E njëjta gjë vlen edhe për periudhën pas anëtarësimit”, tha Juncker./Almakos