Banorët e rrugës 28 të lagjes së Hasanbegut ankohen se autoritetet në vend që t’u ndërtojnë rrugën, ua kanë prishur. Edhe pse para disa muajsh me vetëkontribut, këta banorë vetë e kishin asfaltuar rrugën, pushteti lokal në kohën e fushatës zgjedhore të njëjtën rrugë e kishte prishur me arsyetimin që do ta ndërtojnë me asfalt cilësor. Tani e dy muaj lagjja është lënë në gjendje katastrofale. Në këtë rrugë banojnë më shumë se 200 familje të cilët për çdo ditë janë të detyruar që të kalojnë nëpër këtë baltë.
Banorët shprehen se edhe më e vëshirë është për fëmijët kur duhet të shkojnë në shkollë dhe për pleqtë që duhet të shkojnë në xhami. Rruga e lënë në këtë gjendje ka bërë që edhe veturat të pësojnë shumë dëme.
E vetmja zgjidhje për t’i ikur baltës është që ata të ecin nëpër një gjysmë trotuari që është në skajin e rrugës, por ata thonë se as kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Edhe trotuari bëhet i ngjashëm me rrugën, sidomos gjatë ditëve me shi, e qytetarët druajnë se ndonjëri mund të rrëshqasë e të lëndohet.
Sasia e ujit që grumbullohet pas të reshurave, shpjegojnë banorët, bëhet aq e madhe saqë as me vetura nuk mund të kalohet. Sipas tyre, është absurde fakti që duke qenë me një rrugë së paku të asfaltuar dhe pa baltë, të cilën e kanë ndërtuar vetë, ata kanë mbetur në këtë gjendje.

