Në emisionin e mbrëmshëm “ENTER” që u transmetua në televizionin Shenja, përmes një video lidhje të drejtpërdrejtë nga Dibra u paraqit edhe mjeku Arben Agolli i cili është prekur nga virusi korona dhe aktualisht ndodhet në shërim shtëpiak. Agolli përcolli disa porosi për të gjithë qytetarët që të tregojnë më tepër kujdes dhe të mos neglizhojnë virusin.
Arben Agolli, mjek
“Unë i apeloj të gjithë qytetarëve të tregohen të përgjegjshëm ndaj këtij virusi. Nuk duhet ta marrim me neglizhencë. Nuk duhet ta anashkalojmë. Maksimalisht të respektohen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Të kujdesimi për personale dhe familjare. Le të pijnë pak më shpesh ujë, për shkak se uji është një mjet jashtëzakonisht i mirë për larjen e fytit, edhe pamundëson që virusi të shtresohet në pjesën e bajamave”.
Me mesazh të njëjtë përmes video lidhjes u paraqit edhe epidemiologu Fadil Cana i cili është i angazhuar në klinikën infektive ku po trajtohen të prekurit nga virusi korona.
Në studion e emisionit ENTER i pranishëm ishte Specialisti i psikologjisë klinike Abdulla Thaçi i cili foli për fenomenin e izolimit që ditëve të fundit ka marrë përmasa më të mëdha në vendin tonë shkaku i përhapjes së koronavirusit dhe parandalimin e pasojave në gjendjen psiqike të qytetarëve të izoluar.
Abdulla Thaçi, mjek
“Izolimi çdoherë është një fenomen i papëlqyer. Ne duhet në mënyrë të domosdoshme ta pranojmë këtë realitet, pasi ky është një realitet objektiv ku duhet veçse të izolohemi edhe për të mirën vetjake edhe për të mirën e qenies shoqërore. Tani nuk kemi përgjegjësi vetëm për veten, por kemi përgjegjësi edhe shoqërore ku është e domosdoshme për të mirën tonë”.
Thaçi tha se trimëria e tepruar e disa qytetarëve të cilët thonë se nuk frikësohen nga virusi korona, janë shenja të injorancës dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj shëndetit kolektiv.



