Profesori universitar Mersim Maksuti në emisionin “Debat në Shenja” deklaroi se është tërhequr nga grupi punues për hartimin e Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për shkak të mospajtimeve lidhur me përmbajtjen dhe mekanizmat e zbatimit të ligjit.
Maksuti tha se grupi punues ka punuar për rreth gjashtë muaj, por që nga fillimi kanë ekzistuar dallime të mëdha mes dy palëve në qasjen ndaj zgjidhjes juridike.
Sipas tij, pala tjetër fillimisht kishte propozuar që çështja të rregullohej me rezolutë dhe jo me ligj.
“Nuk propozon as ligj, insistoni me një rezolutë dhe këtë ne e dimë shumë saktë për hir të transparencës publikut të tregojmë saktë situatën si ka qenë. U paraqitën me rezolutë. Ne nuk pajtoheshim që kjo çështje të rregullohej me rezolutë. Kushtetuta konkretizohet nëpërmjet ligjeve dhe jo nëpërmjet rezolutave”, deklaroi Maksuti.
Ai theksoi se një rezolutë vetëm afirmon një të drejtë, por nuk përmban mekanizma juridikë dhe institucionalë që do të garantonin zbatimin praktik të saj.
Maksuti bëri të ditur se gjatë diskutimeve janë paraqitur disa variante dhe propozime nga të dyja palët, por sipas tij draftet e paraqitura nuk i përmbanin elementet kyçe për një ligj funksional.
“Ligji nuk kishte elementet kryesore që garantojnë implementim të plotë praktik. Nuk kishte sanksione detyruese për zbatimin efektiv dhe nuk përcaktonte qartë institucionet që do të garantonin implementimin në praktikë”, tha ai.
Sipas profesorit universitar, tri vërejtjet kryesore të tij kanë qenë mungesa e sanksioneve, mungesa e mekanizmave institucionalë dhe mënyra se si ishte trajtuar çështja e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë.
Ai shtoi se të gjitha qëndrimet dhe vërejtjet e tij janë evidentuar në procesverbalet e grupit punues dhe mund të verifikohen publikisht.


