Me duartrokitje e brohoritje pacientë të operuar në zemër u mblodhën përpara Klinikës së Kardiokirurgjisë për t’i dhënë mbështetje morale drejtorit Sashko Jovev i cili u shkarkua nga ministri i Shëndetësisë ditë më parë. Pos pacientëve, përpara Klinikës dolën edhe të punësuarit e këtij institucioni për të kërkuar rikthimin e drejtorit.
“Turp është kjo që po ndodh, ta largosh njeriun nga shtëpia e vet. Kjo është shtëpia e tij, ai e ndërtoi këtë Klinikë. unë isha edhe në shok dhomë, 7 ditë kam qëndruar, kam qenë edhe gjatë natës dhe nuk mundem të ankohem diçka…ai ishte gjithnjë këtu, mjekët ishin këtu. Kjo është turp, s’di në është diçka partiake por turp është”.
“Jam me transplantim dhe i operuar 5 herë. Erdhëm këtu të japim mbështetje për profesorin Sashko Jovev dhe ekipin e tij të cilët pa rezervë na mbështetën dhe na dhanë shans për jetë neve që jemi me transplantim. Jemi të revoltuar me jo profesionalizmin e ministrit i cili dëshiron të vendosë kuadro politik dhe jo profesional”, tha Sashko Jankullovski, pacient.
Jovev tha se periudhën e fundit është përballur me presione të shumta, ndërsa shkak për këtë sipas tij ka qenë organizimi i një ngjarje, ku ministri i Shëndetësisë është ftuar me vonesë dhe në orar të pa përshtatshëm për të.
“I bëjmë thirrje edhe njëherë Ministrisë së Shëndetësisë, ministrit dhe Qeverisë që ta rishqyrtojnë vendimin për shkarkim. Qëndrojmë fuqishëm pas asaj që “Ekipi që fiton, nuk ndërrohet”. Ta lëmë politikën anash në këtë shtet dhe t’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre. Konsiderojmë se personat më me përvojë duhet t’i udhëheqin Klinikat”, Sashko Jovev, ish Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.