Shkollat në Francë që u mbyllën për shkak të protestave të studentëve do të nisin të rihapen gradualisht nga sot, pas një tjetër dite protestash masive në të gjithë vendin.
Qindra mijëra studentë, prindër dhe sindikalistë dolën në rrugë për të kërkuar përmirësimin e kushteve në shkolla. Organizatat studentore paralajmërojnë se protestat do të intensifikohen nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të tyre.
Ministria e Arsimit ka udhëzuar shkollat e mesme më të prekura që rikthimi në mësim të bëhet në faza, duke u dhënë përparësi nxënësve të klasave të fundit. Gjithashtu, shkollave u është kërkuar të zhvillojnë një gjysmë dite dialogu me nxënësit, ku ata të mund të paraqesin shqetësimet dhe propozimet e tyre.
Sipas të dhënave të qeverisë, 891 shkolla të mesme u përballën me probleme ose pezulluan mësimin, rreth një e katërta e afro 3,700 shkollave të mesme në vend. Autoritetet vlerësuan numrin e protestuesve në mbi 250 mijë, ndërsa organizatat studentore pretendojnë se në protesta morën pjesë rreth 450 mijë persona dhe se rreth 1,800 shkolla u bllokuan ose u prekën nga mobilizimi.
Studentët kërkojnë kryesisht uljen e numrit të nxënësve në klasa, plotësimin e vendeve vakante të mësuesve dhe përmirësimin e kushteve të ndërtesave shkollore.
Në Paris, bllokimet e shkollave nisën që në orët e para të mëngjesit, ndërsa më vonë mijëra protestues u mblodhën në Place de la République dhe marshuan drejt Place de la Nation.
Policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa gjatë incidenteve disa grupe demonstruesish u përfshinë në akte dhune dhe u raportua për djegie objektesh.
Shefi i policisë së Parisit, Patrice Faure, njoftoi se gjatë mobilizimit në Place de la Nation u kryen 32 arrestime dhe u regjistruan 14 të plagosur. Sipas tij, pjesa më e madhe e tubimit u zhvillua në mënyrë të qetë.
Incidente u raportuan edhe në qytete të tjera. Në Marsejë u përdor gaz lotsjellës, ndërsa në Rennes policia përdori mjete ujore për të shpërndarë protestuesit.
Bashkësekretari i përgjithshëm i një prej sindikatave më të mëdha studentore në Francë, Marius Mesnil, deklaroi se lëvizja do të vazhdojë të intensifikohet për sa kohë studentët mendojnë se qeveria nuk po i dëgjon.
“Ne studentët nuk duhet të bllokojmë shkollat e mesme dhe të protestojmë në rrugë me qindra mijëra për të qenë në gjendje të studiojmë në mjedise normale”, tha ai.
Mesnil argumentoi gjithashtu se qeveria është përpjekur ditët e fundit t’i paraqesë protestat si të dobësuara, ndërsa sipas tij mobilizimi i fundit masiv tregoi të kundërtën.
Kryeministri Sébastien Lecorni tha se qeveria “tani duhet të dëgjojë”, ndërsa shprehu lehtësim që shumica e demonstratave u zhvilluan pa incidente serioze.



