15 Shkurt 2019 / 15:46
Televizioni Alsat ka siguruar vendin ku ndodhet autobusi i aksidentit tragjik nga 13 shkurti. Megjithëse tentuam të kemi qasje për të vërtetuar nëse vazhdo procesi i ekzaminimit, një gjë e tillë nuk na u mundësua nga Prokuroria Publike. Arsyetimi i organit të akuzës është se “nuk mund të kemi qasje në dëshmi materiale”, duke u thirrur në vendimin e prokurorit të rastit Rasim Dreca. Jo zyrtarisht mësohet për dy pista hetimi. E para ka të bëj me arsyet e objektive. Në këtë drejtim po hetohet nëse autobusi është penguar nga ndonjë automjet dhe për t’ju shmangur aksidentit ka humbur kontrollin. Gjithashtu hetohet edhe shpejtësia e cila nga hetimi paraprak mësohet të ketë qenë nga 80-85km/h. Në pistën e dytë janë arsyet subjektive ku si element hetimi është shoferi i autobusit. Dyshimet e para flasin për humbje përqendrimi si pasojë e moskujdesit, bisedës telefonike apo edhe problem i mundshëm shëndetësor. Pronari i kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari në një deklaratë për Alsat ka theksuar se autobusi ka qenë në rregull teknikisht dhe se nuk ka pasur probleme deri më tani. Sipas tij, dyshimet çojnë në humbjen e vetëdijes së shoferit.
Të mos merremi shumë me spekulime, por sipas përvojës tonë shumë vjeçare, ne dyshojmë në humbjen e vetëdijes së vozitësit. Presim ekspertiza ligjore dhe jua lëmë Institucioneve atë se çfarë do të dalë nga ekspertiza. Çdoherë kemi pasur kujdes edhe pse do të kemi kujdes në të gjithë vozitësit në të gjitha makinat si nga kontrolli teknik, ashtu edhe nga pamja e tyre shëndetësore. Kemi kërkuar nga ata që ata të bëjnë komplet hetimin dhe të dalin shkaqet e ndodhjes së tragjedisë. Asnjë shenjë nuk ka treguar, gjithmonë ka qenë në rregull. Vozitësi llogaritet ndër vozitësit më të mirë. Orarin nuk e ka tejkaluar, domethënë është konform rregullave të orarit të punës. Vetëm se vetëdija e tij në rast se është humbur në moment aty, që është caktim i Zotit dhe asaj nuk mund t’i ikte- deklaroi Durmish Beluli- Pronarë I kompanisë “ DURMO TURS”.
Pas ekspertizës së kryer në vendin e ngjarjes, autobusi nga vendi i aksidentit u dërguar për ekzaminim ku për momentin mësohet se përveç prokurorit të rastit janë duke punuar edhe ekspert nga Fakulteti i Makinerisë dhe ekspert mjeko-ligjorë. Pas shërimit të udhëtarëve që i mbijetuan aksidentit, Prokuroria Publike do të fillojë me dëgjimin e tyre si dëshmitarë dhe viktima të rastit. Autobusi po mbahet në vend sekret me qëllim që të mos ndikohet në prova materiale.
Adrian Kerimi
Loading…


