Omer Ajdini ka reaguar ndaj propozim-ligjit të ri që parasheh përdorimin e gjuhës në dokumentet personale, si letërnjoftimi, si mekanizëm për dëshmimin e përkatësisë etnike gjatë punësimit në administratën shtetërore.
Sipas tij, kjo zgjidhje është edhe më e dobët se sistemi i Balancerit, pasi, siç thotë, në vend që qytetarët të ndryshojnë deklarimin e përkatësisë etnike përmes noterit, tani mjafton të ndryshohet gjuha e letërnjoftimit për të manipuluar sistemin e punësimit.
Ajdini vlerëson se ky mekanizëm praktikisht e zhbën funksionimin e kuotave etnike dhe hap rrugë për keqpërdorime, duke theksuar se përderisa vazhdojnë diskriminimi dhe paragjykimet në shtet, kuotat etnike të fituara me sakrificë mbeten mbrojtja më efektive për përfaqësim të drejtë në administratën shtetërore.
Në fund, ai u bën thirrje deputetëve që kanë marrë votën e tij në zgjedhjet e vitit 2024 të mos e mbështesin këtë propozim-ligj dhe të sigurojnë një zgjidhje serioze që garanton zbatimin efektiv të kuotave etnike, raporton Almakks.
Në vijim shkrimi i plote i Ajdinit:
Përdorimi i gjuhës në dokumente personale (letërnjoftim) si mekanizëm për të dëshmuar përkatësinë etnike për punësim në administratë shtetërore është zgjidhje më e dobët se Balanceri.
Nëse për të manipuluar me Balancerin duhej të braktisje etninë tënde me deklaratë në noter- e kështu të bëje një lloj tradhëtie ndaj kombit tënd, turpi i së cilës do të të përcillte gjatë gjithë jetës – me propozim-ligjin e ri vetëmse hiqet kjo barrë sepse duhet që vetëm ta ndryshosh gjuhën e letërnjoftimit dhe ta bësh atë në gjuhën që të konvenon, dhe ta manipulosh sistemin (edhe nëse ai parasheh punësim të një etnie të caktuar). Prandaj ky mekanizëm është zhbërje praktike e kuotave.
Mirëpo përderisa në këtë shtet vazhdojnë të jenë gjallë paragjykimet dhe diskriminimi, kuotat etnike të fituara me gjak janë mekanizmi më efektiv për tu mbrojtur nga diskriminimi në procesin e rekrutimit në administratë shtetërore.
Prandaj edhe çdo ligj dhe mekanizëm që praktikisht nuk mundëson operacionalizim të kuotave etnike është realizim i qëllimit të atyre të cilëve u pengon barazia.
Si votues, ju bëj thirrje atyre deputetëve të cilëve ua kam dhënë votën në vitin 2024 të mos e votojnë këtë propozim-ligj dhe të sigurojnë zgjidhje serioze për këtë çështje.


