Zyrtari i VLEN-it, Muamet Demiri, ka reaguar për emërtimet e rrugëve dhe institucioneve në Strugë, duke vlerësuar se edhe pas më shumë se 30 vjetësh nga pavarësia, qyteti vazhdon të mbajë emra të trashëguar nga ish-sistemi jugosllav.
Përmes një postimi publik, Demiri thekson se në Strugë ende ekzistojnë emërtime si Rruga JNA, Bulevardi “Marshal Tito”, Rruga “Marks Engels”, “Proleterski Brigadi”, ndërsa edhe një shkollë fillore mban emrin “Josip Broz Tito”.
Sipas tij, është koha që rrugët dhe institucionet publike të pasqyrojnë historinë, identitetin dhe personalitetet e vendit, duke pyetur nëse është normale që zemra e Strugës ende të mbajë emra të një sistemi që ka përfunduar para dekadash.
“Apropo TITO. Kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga pavarësia, por në Strugë ende jetojmë me emrat e ish-sistemit jugosllav.
Rruga JNA;
Bulevardi MARSHAL TITO;
Rruga MARKS ENGELS, Proleterski Brigadi…
Madje edhe shkolla fillore e ka emrin “JOSIP BROZ TITO”.
A është normale që zemra e Strugës edhe sot të mbajë emra që i përkasin një sistemi që ka përfunduar para dekadash? A nuk ka ardhur koha që rrugët dhe institucionet tona të pasqyrojnë historinë, identitetin dhe personalitetet tona?” – shkruan Demiri.


