24 November
Debat i ashpër në Prokurorinë e Lartë dhe atë Republikane e cila sot thirri për konsultim prokuroren e lëndës Suzana Kusigerska dhe kreun e prokurorisë së Kumanovës Goran Peshevski, lidhur me rastin “Almiri”. Sipas burimeve të ALSAT, nuk ka vendim për rikualifikimin apo mbetjen e akuzës së njëjtë, të kërkuar nga prokurorët e Kumanovës. Debati në kolegjin e mbajtur fillimisht mes anëtarëve të Prokurorisë së Lartë dhe pas mbivotimit, edhe në atë Republikane, është zhvilluar me akuza të ndërsjella, për ngjyrim etnik të rastit nga pala e akuzës. Prokuroria e Kumanovës kërkon që vrasësi i 4 vjecarit Almir Aliu të kalojë si “aksident rrugor me pasojë vdekjen”, ndërkohë që pala e mbrojtjes e kundërshton këtë, duke kërkuar “vrasje me paramendim”. Debati i sotëm u anulua për shkak të debateve të ashpra, dhe është shtyrë për javën e ardhshme. Kjo shtyrje e debatit në Prokurinë e Lartë dhe Republikane, si duket do të shtyjë edhe seancën e parashikuar më 29 nëntor, ku pritej të jepej vërdikti gjyqësor në Kumanovë. Debati i thirrur sot u inicua pas një ankese e parashtruar nga avokatët mbrojtës të rastit të Almirit. Ankesa përmban vërejtje dhe dyshimet për mosmarrjen parasysh të veprës penale të vëllait të autorit të ngjarjes Bojan Iliq, i cili nga pamjet filmike shihet se si del nga makina me të cilën është kryer vepra, dhe godet me mjet të fortë cilindo që i del përpara. Momenti i dytë është dorëzimi selektiv i dokumenteve në lëndë para urdhëresave të ekspertizës ligjore nga ana e prokurorit publik. Momenti tjetër është mos-pranimi nga ana e gjykatës i dëshmive që caktojnë nëse i padituri ka pasur mundësi ta shmangte apo jo veprën penale për të cilën akuzohet. Nga ana tjetër, prokurori i lëndës ka pranuar një dëshmi, e cila nuk është përmendur në asnjë rrethanë gjatë seancave. Po ashtu dëshmitarët okularë nuk janë marrë fare parasysh nga ana e gjykatës.
Alsat mëson se pala e akuzës, përmes kualifikimit të veprës si aksident, tenton të shfrytëzojë nenin 300, paragrafin 2 të Kodit Penal, i lidhur me nenin 297, i cili si dënim parashikon të paktën 4 vjet burg. Por, pala mbrojtëse kërkon që vepra të kualifikohet si vrasje me paramendim, bazuar në nenin 123, paragrafi 2, pika 3 e cila si minimun parashikon dënim nga 10 vjet e sipër. Vrasja e vogëlushit Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në qytetin e Kumanovës, kur katërvjeçari pas një zënke banale u shtyp për vdekje nga Boban Iliqi.
Senat Zylbehari

