Prokuroria Themelore e Shkupit tenton me çdo formë që të zvarritë hetimin dhe procedimin e lëndëve ndaj sulmuesve që ushtruan dhunë natën e 27 prillit në Kuvend. Pas informacioneve se kjo Prokurori kërkon nga MPB-ja para-kualifikim të lëndës dhe mbështetjen me fakte të veprimeve të sulmuesve, me pasoja konkrete, ALSAT mëson nga burime të sigurta, se Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Shkupit, Gordana Geshkovska ka urdhëruar të gjithë eprorët në Ministrinë e Brendshme që të informojnë vetëm atë për çfarëdo që ka të bëjë me natën e përgjakshme, dhe jo prokurorët përgjegjës. Urdhri është gojor, thonë burimet e sigurta, dhe askund i shkruar.
Nga ana tjetër, ALSAT mëson gjithashtu nga burimet e tij, se as prokurorja kujdestare e asaj nate, Elena Ivanovska Minovska dhe as prokurorët e tjerë, të cilëve iu shpërndanë lëndët mbi sulmin e dhunshëm në kuvend, nuk iu është mundësuar të dalin në vendin e ngjarjes për ekspertizë. Deri më sot, asnjë prokuror nuk e ka parë skenën e vërtet të dhunës në Kuvend, e as pasojat nga ajo. Lëndët lidhur me rastin e Kuvendit iu janë ndarë 6 prokurorëve, siç mëson ALSAT, por Geshkovska kërkon me çdo kusht llogaridhënie nga eprorët e MPB-së për çdo informatë që del mbi ngjarjet e dhunshme të 27 prillit.
Siç raportoi ALSAT një ditë më parë, Prokuroria Themelore doli me kërkesë të re për policinë, theksimin e pasojave konkrete dhe dokumentimin e provave në mënyrë faktografike të personave të dyshuar për dhunën, me foto e video. Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore ende nuk ka vendosur asnjë hap për organizatorët e protestës së dhunshme më 27 prill, të cilët shëtitin lirshëm dhe vazhdojnë të jenë në ballë edhe të protestave të përditshme para qeverisë dhe Kuvendit.