Prokuroria Themelore në Prishtinë ka intervistuar gjatë ditës bashkëshortin e Liridona Ademajt, i cili është një nga tre të dyshuarit për vrasjen e saj. Prokuroria nuk dha shumë detaje, ndërsa avokatja e tij tha se Murseli ka dhënë versionin e tij, i cili, sipas saj, është krejt ndryshe nga ajo çka është thënë në publik
Nën masa të rrepta sigurie, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës u soll njëri nga personat e dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, pikërisht bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” së bashku me tre të dyshuar të tjerë, të cilët dyshohen për “kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “organizim të vrasjes së rëndë”.
Për më shumë se dy orë Naim Murseli është mbajtur për intervistim brenda Prokurorisë.
Intervistimi zgjati edhe më shumë, por Prokuroria nuk dha detaje.
“Ju njoftojmë se kjo çështje penale ndodhet ne proces hetimor, andaj në këtë fazë nuk mund te japim informata te detajuara, deri në një fazë tjetër”, thuhet nga Prokuroria.
Megjithatë, disa informacione nga intervistimi dha njëra nga përfaqësueset ligjore të Murselit.
Avokatja, Teuta Zhinipotoku tha se Murseli ka dhënë versionin e tij, i cili, sipas saj, nuk është i njëjtë me ato që janë thënë në publik.
“I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale. Në të ardhmen kanë mbetur të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë dhe pas dëgjimit te tyre do të ju informojmë lidhur me rrjedhën e procedurës dhe përmbajtjen e deponimeve te tyre”, ka deklaruar ajo.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa sipas avokatit Florim Shefqeti, Prokuroria është duke e trajtuar rastin me kohë, pa vonesa.
Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, gjenden në paraburgim.


